Një makinë më e mirë, një shtëpi më e madhe apo frika nga rreziku – këto vendime duken të padëmshme, por u kushtojnë lirinë financiare
Edhe pse duket se jetojnë mjaft mirë, ekziston një prag që rrallë e kalojnë – këto janë 5 kurthe për shkak të të cilave klasa e mesme rrallë arrin pasurinë e madhe.
Në pamje të parë, pjesëtarët e klasës së mesme duken të kënaqur, kanë një punë të mirë, një makinë dhe një çati mbi kokë. Megjithatë, pas kësaj pamjeje shpesh fshihet lufta për të bërë hapin e madh drejt lirisë financiare. Arsyeja qëndron në 5 kurthe të zakonshme, të cilat i mbajnë të bllokuar.
1. Pamja u është më e rëndësishme se thelbi
Kur paga rritet, shumë prej tyre nxitojnë të blejnë një makinë më të mirë ose një banesë më të madhe. Kjo i jep kënaqësi të menjëhershme, por lë boshllëk afatgjatë në buxhet. Në vend që paratë të investohen në pasuri apo biznes, ato shpenzohen për shpenzime të larta mujore. Vetëpërmbajtja dhe përdorimi i matur i luksit sjell shumë më tepër stabilitet.
2. Mbështeten vetëm në një burim të ardhurash
Ideja tradicionale se mjafton të kesh një punë të sigurt nuk është më e vlefshme sot. Ekonomia është e paqëndrueshme, dhe një burim i vetëm të ardhurash do të thotë edhe rrezik më i madh. Ata që arrijnë të krijojnë pasuri zakonisht kanë burime shtesë, përmes investimeve, një biznesi të vogël ose të ardhurave pasive. Edhe një fillim modest mund të bëhet shtyllë e rëndësishme financiare.
3. Kanë frikë të investojnë
Frika nga humbja shpesh bën që paratë të mbahen vetëm në llogari kursimi, ku inflacioni i gërryen gradualisht. Shumë më e mençur do të ishte të mësoheshin bazat e investimeve dhe të zgjeronin horizontin për të hyrë në fusha më fitimprurëse, edhe pse pak të njohura. Rreziku ekziston, por pa të nuk ka rritje, transmeton Telegrafi.
4. Marrin borxhe për konsum
Kreditë konsumatore dhe kartat e kreditit shpesh shndërrohen në borxhe që shkatërrojnë çdo mundësi kursimi. Normat e larta të interesit e kthejnë një shumë të vogël në barrë të madhe. Nëse merrni hua, ajo duhet të jetë vetëm për diçka që mund të rrisë vlerën, një biznes ose një pasuri të paluajtshme, por kurrsesi për konsum të përditshëm.
5. Nuk ndjekin ndryshimet dhe nuk mësojnë aftësi të reja
Në epokën digjitale, njohuritë vjetrohen më shpejt se kurrë. Ata që nuk përshtaten, mbeten me të njëjtin nivel të të ardhurave. Një aftësi e re, si marketingu digjital apo programimi, mund të rrisë ndjeshëm fitimet, dhe sot këto mund të mësohen lehtësisht përmes kurseve dhe trajnimeve online.
Të gjitha këto kurthe mund të duken të padëmshme në dukje, por së bashku krijojnë një mur që e pengon klasën e mesme të ndërtojë pasuri të qëndrueshme. Zgjidhja qëndron në vendimet e përditshme, a do të investoni në dije apo në një telefon të ri, a do të krijoni një burim shtesë të ardhurash apo do të mbështeteni vetëm në pagën mujore?
Ndryshimet nuk ndodhin brenda natës, por me disiplinë dhe guxim për të rishikuar zakonet, mund të hapen dyert drejt lirisë së vërtetë financiare. /Telegrafi/