Nëse i shkruani prindërve vetëm për ditëlindje, nëse bisedat përfundohen pas dhjetë minutash dhe gjithmonë keni “strategji daljeje” – nuk jeni të ftohtë. Jeni thjesht të kujdesshëm. Këtë e kanë mësuar gjenerata fëmijësh që janë rritur në shtëpi ku dashuria nuk ka qenë strehë e sigurt, por një shpërblim me kushte
Të rriturit që sot mezi flasin me prindërit e tyre, nuk e kanë bërë këtë nga inati apo ftohtësia. Ata në fakt po mbrojnë fëmijën që dikur kanë qenë. Fëmijën që askush nuk e ka mbrojtur. Kjo distancë rrallëherë lind papritur. Më shpesh ndërtohet me vite, nga mijëra çaste të vogla kur kuptonin se ngushëllimi nënkuptonte dobësi, se nevojat e tyre ishin “tepër”, dhe se dashuria duhej merituar.
Ja cilat janë 10 përvoja të fëmijërisë që lënë plagë të padukshme dhe shpesh shpjegojnë pse të rriturit tërhiqen nga prindërit:
Ndjenjat e tyre konsideroheshin si mangësi
Trishtimi ishte “dramë”, zemërimi nënkuptonte se ishin “të vështirë”, frika ishte “dobësi”. Fëmijët mësuan të shtypin ndjenjat e vërteta dhe të tregojnë vetëm ato që nuk sillnin telashe. Si të rritur, ende ndihen se duhet të luajnë një rol. Distanca u jep lirinë për të mos aktruar më.
Dashuria ishte me kushte
Pesat sillnin përqafim, bindja sillte pranueshmëri, ndërsa zhgënjimi sillte ndëshkim përmes tërheqjes së dashurisë. Mësuan se përkujdesja ishte e rrallë dhe kushtëzuese. Sot e dinë se në atë “lojë” nuk mund të fitonin kurrë, ndaj distanca është heqje dorë nga një garë e pamundur.
Mbartën barrën e të rriturve në shpinën e fëmijës
Varësia e babait, depresioni i nënës, problemet financiare, gjithçka që nuk duhej të dinin, ata e përjetuan. U bënë terapeutë të vegjël, ndërmjetës, ngushëllues. Ajo pafajësi e vjedhur nuk kthehet më. Si të rritur, ende e ndjejnë atë peshë, dhe distanca është mënyra e vetme për ta hequr.
Privatësia nënkuptonte tradhti
Dyert duheshin mbajtur hapur, ditarët lexoheshin, bisedat përgjohej. Mësuan se kufijtë nuk ekzistojnë dhe se çdo mendim ishte “pronë familjare”. Edhe sot, pranë prindërve ndihen të zhveshur. Distanca është bravë mbi derën e tyre.
Ekzistonin vetëm përmes krahasimeve
“më i mençur se vëllai, por më dembel se kushëriri.” Vlera e tyre gjithmonë matet në raport me të tjerët. Kurrë nuk ishin mjaftueshëm vetvetja. U rritën duke besuar se janë përherë të pamjaftueshëm. Distanca shënon fundin e një gare ku nuk deshën të hynin.
Realiteti i tyre mohohej vazhdimisht
“Kjo nuk ndodhi.” “Po e tepron.” “Po trillon”. Prindërit nuk duronin të vërtetën, ndaj fëmijët u mësuan të dyshojnë në kujtimet e veta. Ky lojë psikologjike i ngatërronte dhe i dobësonte. Distanca është mënyra për t’i besuar mendjes dhe përvojës së vet.
Kërkonin falje vetëm pse ndjenin
“Më fal që po qaj.” “Më fal që kam nevojë për ndihmë.” Fëmijët mësuan se dhimbja e tyre ishte pengesë, ndërsa prindërit e justifikonin ashpërsinë me “stres” apo “traditë”. Sot e dinë se nuk duhet të kërkojnë falje për vetë ekzistencën e tyre. Distanca ua heq atë faj.
Sukseset nuk ishin kurrë të tyre
Çdo diplomë dhe çdo çmim ishte “meritë familjare”. Por çdo dështim ishte vetëm i tyre. Mësuan se arritjet e tyre shërbenin për lavdinë e të tjerëve. Distanca u rikthen të drejtën të thonë me krenari: “Ky është jeta ime.”
Pamja ishte më e rëndësishme se realiteti
Fotografi të përsosura, urime festive të lumtura dhe postime familjare fshihnin të vërtetën. Autenticiteti ishte i rrezikshëm, heshtja ishte “dashuri”. Ajo shfaqje i shteronte. Distanca u lejon të jenë më në fund të sinqertë, qoftë vetëm me veten.
Dhimbja e tyre nuk ka qenë kurrë mjaftueshëm e rëndësishme
Gjithmonë dikush “kishte më keq”, ata duheshin të ishin “mirënjohës”, dhimbja e tyre nënvlerësohej. Mësuan të mos i japin peshë plagëve të veta. Distanca i mëson se edhe dhimbja e tyre ka vlerë dhe se meritojnë kujdes.
Mos e humbni kohën që keni
Të rriturit që largohen nga prindërit nuk e bëjnë këtë për t’i ndëshkuar. E bëjnë për të mbrojtur fëmijën që ende jeton brenda tyre – fëmijën që nuk pati mbrojtje atëherë kur i duhej më shumë. Distanca nuk është ftohtësi. Distanca është kufi. Dhe kufijtë nganjëherë janë mënyra e vetme për të filluar së jetuari jetën tuaj.
Megjithatë, është e rëndësishme të kujtojmë se prindërit nuk do të jetojnë përgjithmonë. Nëse ndjeni se vetë nuk mund të tejkaloni dhimbjet dhe traumat e fëmijërisë, kërkoni ndihmën e një specialisti. Nëse ndjeni se vetë nuk mund të tejkaloni dhimbjet dhe traumat e fëmijërisë, kërkoni ndihmën e një specialisti. Një bisedë me psikoterapeut mund të jetë rruga drejt pajtimit me të kaluarën, sepse më vonë, kur prindërit të mos jenë më, ndjenja e fajit mund të bëhet një tjetër barrë e rëndë për t’u mbajtur.
Sipas American Psychological Association (APA), traumat e fëmijërisë ndikojnë drejtpërdrejt në marrëdhëniet dhe mirëqenien e të rriturve, duke lënë pasoja afatgjata në mënyrën se si ata ndërtojnë ose ruajnë lidhje të ngushta. /Telegrafi/