Ritmi natyral i trupit kërkon zgjim të menjëhershëm për të na dhënë forcë dhe qartësi
Besoj të gjithëve na ka ndodhur: bie alarmi, hapim sytë, e pastaj i mbyllim përsëri duke menduar se disa minuta të fituara janë luks. Në realitet, ato minuta janë helm për energjinë tonë. Trupi ka sistemin e vet biologjik, i cili funksionon ndryshe nga sa mendojmë.
Para se të zgjohemi, ai fillon të prodhojë kortizol, hormonin që na jep energji dhe përqendrim. Pikërisht në momentin kur bie alarmi, ky hormon është në kulmin e tij dhe është sinjali më i fortë që na thotë të ngrihemi. Por kur i mbyllim sytë sërish, e prishim këtë ritëm dhe kur zgjohemi më vonë ndihemi të lodhur e pa fuqi.
Në të njëjtën kohë, melatonina që zakonisht bie në mëngjes për t’ia lënë vendin zgjimit, rifillon të prodhohet në mënyrë të çrregullt. Ky është shkaku pse pas disa minutash shtesë gjumë ndjehemi edhe më të rëndë dhe më të lidhur pas shtratit. Edhe adenozina, substanca që na shtyn drejt gjumit dhe pastrohet gjatë natës, mbetet e papastruar. Kjo bën që trupi të ndjehet i plogësht, pavarësisht se kemi fjetur më shumë.
Në vend të energjisë dhe humorit që do ta na jepte dopamina dhe serotonina nëse do të ngriheshim menjëherë, i privojmë vetes fillimin natyral të ditës. Pasojat janë mungesë motivimi, mungesë qartësie dhe shpesh një gjendje shpirtërore e ulët. Për më tepër, trupi funksionon me cikle gjumi prej 90 minutash.
Kur flejmë sërish pas alarmit, ai mendon se ka nisur një cikël të ri, por ne e ndërpresim pas pak minutash. Kështu futemi në gjendjen e quajtur “sleep inertia”, ku truri ngec gjysmë në gjumë dhe gjysmë zgjuar, duke na lënë edhe më të lodhur se më parë.
Këshilla ime është e thjeshtë: mos i kërko trupit tënd pesë minuta të rreme. Ngritu me alarmin e parë. Sa herë që e kam bërë këtë, dita ka nisur ndryshe me energji, me qartësi dhe me motivim. Dhe kushdo që e provon, e kupton menjëherë ndryshimin. /Telegrafi/