Provokimet e dronëve rusë që shkelin hapësirën ajrore të disa vendeve të NATO-s u cilësuan si një formë lufte hibride dhe psikologjike nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, të cilët u takuan në Tiranë.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, presidenti Rinkevics paralajmëroi se provokimet ruse synojnë të devijojnë mbështetjen ndaj Ukrainës. Ai vlerësoi se NATO ka reaguar me maturi deri tani, por shtoi se, nëse këto provokime vazhdojnë, nuk përjashtohet një përgjigje edhe më e fortë.
“Kur bëhet fjalë për provokimet ruse, tregon se Rusia po intensifikon një lloj lufte hibride dhe kjo bëhet për të testuar NATO-n dhe për të tërhequr vëmendjen nga mbrojtja jonë dhe për të dhënë më pak mbështetje për Ukrainën. Këto lloj provokimesh shkaktojnë shqetësim tek njerëzit dhe ky është një luftë nervash dhe psikologjike. Nga ky këndvështrim kemi pasur edhe në të kaluarën shkelje të hapësirë ajrore edhe para luftës. Nëse NATO ka reaguar si duhet? Unë mendoj Po. Na duhet të transformojmë mision ajror, na duhen sisteme antidron dhe na duhet të kemi një mesazh të fortë për Rusinë se nëse kjo vazhdon, forca jonë do të jetë opsion. Duhet të përgatitemi edhe për një përgjigje më të egër dhe më të fortë krahasuar me atë që ka kaluar gjatë këtyre dy javëve të fundit”, tha Rinkevics.
Presidenti Begaj shtoi se provokacionet e Rusisë përbëjnë një kërcënim në rritje për sigurinë euro-atlantike, por theksoi se NATO ka reaguar me maturi dhe forcë.
“Provokacionet e Rusisë janë një kërcënim në rritje për sigurinë euro-atlantike dhe NATO ka reaguar me maturi strategjike dhe ka treguar unitet dhe forcë. Patjetër që Shqipëria është kontributore në këtë Aleancë, ku kemi prani trupash në kahun Lindor prej disa vitesh. Do të rrisim kontributin tonë duke rritur buxhetin për mbrojtjen, modernizimin e ushtrisë dhe rivitalizimin e saj për të forcuar kapacitetet mbrojtje ajrore, tokësore dhe detare dhe do të kontribuojmë për sigurinë tonë të përbashkët”, u shpreh Begaj.
Diskutimet përfshinë edhe misionin e trupave shqiptarë në kuadër të NATO-s në bazën e Letonisë, ku Rinkevics theksoi se ky mision shërben për forcimin e sigurisë në krahun Lindor dhe se Aleanca duhet të jetë më vigjilente në një kohë kur paqja dhe siguria janë të brishta.
“Diskutuam edhe për sigurinë për situatën në Ballkan dhe Ukrainë dhe dua të theksoj që ne jemi mirënjohës për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Ukrainës dhe kontributin e saj në mbrojtjen kolektive. Provokimet në hapësirën ajrore të NATO-s tregojnë se duhet të jemi vigjilentë. Ne mbështesim vendimet e Aleancës për të vendosur dy qendra në krahun Lindor. Trupa jonë në KFOR do të vijojnë misionin dhe do të diskutojmë zgjatjen e këtij misioni deri në dhjetor të 2027”, tha Rinkevics.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!