Në kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut, në Shkup po bëhen përgatitjet e fundit të organizimit të protestës në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Kjo protestë parashihet të mbahet më 13 tetor në sheshin Skenderbeu atje.
Nga afër këto përgatitje i ka përcjellur edhe gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani.
Ajo sot në programin e mëngjesit “Ora 7” deklaroi se ekziston rreziku i arrestimit të veteranëve.
“Kemi kontaktuar edhe me Ministrinë e Brendshme. Ata thonë që janë gati të sigurojnë një protestë të qetë dhe pa telashe, por në përgjigjen e tyre për Klan Kosovën, asnjëherë nuk ceket se nuk do të ketë arrestime në kufi. Rrjedhimisht i bie që veteranët nuk janë të sigurtë të marrin rrugë drejt Shkupit pikërisht për këtë arsye”, deklaroi ajo.
Protesta në Shkup, është e katërta me radhë pas asaj në Prishtinë, Hagë dhe Strasburg.
Përmes këtyre organizimeve po shprehet pakënaqësia lidhur me gjykimin në Hagë, ku edhe po kërkohet drejtësi për çlirimtarët.


