Gjatë një paneli të organizuar nga Clinton Global Initiative, ku e pranishme ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ish-presidenti amerikan Bill Clinton solli në vëmendje një histori të përditshme, por jashtëzakonisht simbolike për bashkëjetesën dhe fuqinë e paqes.
Ai foli për një vend që e viziton shpesh, një restorant takosh ku pronari është kosovarë e menaxheri serb.
“Ne kemi një vend që shet takos, ku shumica e punëtorëve janë meksikanë ose guatemalas, por pronari është një shqiptar nga Kosova. Dhe ja pjesa interesante — menaxheri, ai që më jep një birrë sa herë që hyj aty, është serb. Kjo është mrekulli”, tha Clinton., duke shtuar se ka dy familje kosovare që jetojnë në të njëjtën rrugë ku ai edhe bashkëshortja e tij Hillay jetojnë.
Ky moment i thjeshtë, sipas Clinton, pasqyron më së miri realitetin për të cilin ia ka vlejtur të luftohet – një botë ku njerëz nga kombe dhe histori të ndryshme mund të punojnë, të bashkëjetojnë dhe të ndërtojnë së bashku.
Në të njëjtin panel, Clinton u ndal edhe te vendimi historik për ndërhyrjen në Kosovë në vitin 1999, duke përmendur dyshimet që kishte dëgjuar, por edhe bindjen e tij të palëkundur.
“Shumë menduan se isha çmendur kur u angazhova në Kosovë. Por, unë u thashë: shikoni, ky do të jetë vendi i vetëm në botën moderne ku një luftë do të fitohet përmes fuqisë sonë ajrore, sepse kosovarët nuk do të dorëzohen kurrë, dhe në fund do të jetë shumë e kushtueshme për serbët të vazhdojnë të luftojnë – dhe do të shpëtojmë më shumë jetë në këtë mënyrë”, u shpreh ish-presidenti amerikan Clinton.
Ndërkaq, presidentja Osmani tha se Kosova ka mësuar se liria nuk duhet marrë si e mirëqenë dhe popujt kanë gjithmonë nevojë për aleanca për të vazhduar përpara. /Telegrafi/
– YouTube youtu.be