Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) u promovua të mërkurën libri “Jugosllavia u shemb në Trepçë”, nga autorja, Anna Di Lellio.
Në promovim ishin të pranishëm edhe rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva, prorektorë, dekanë, mësimdhënës dhe mysafirë të tjerë.
Promovimin e ka hapur prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar, prof.asoc.dr. Edita Bekteshi, e ka cila e ka prezantuar autoren e librit, profesoreshën Di Lellio, për të cilën tha se është ligjëruese në Programin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në “New York University” dhe “American University in Kosovo” dhe ka një sërë botimesh.
Gjithashtu sipas saj, Di Lellio është bashkëthemeluese e “Kosovo Oral History Initiative”, ndërsa për kontributin e saj të çmuar, në vitin 2015, presidenti i Republikës së Kosovës e ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave. Di Lellio gjithashtu nga viti 1999 ka qenë e angazhuar në Kosovë si zyrtare e OSBE-së dhe OKB-së, si dhe në rolin e studiueses dhe mësimdhënëses.
Ndërsa vetë autorja e librit, “Jugosllavia u shemb në Trepçë”, tregoi se e gjitha ka nisur në kuadër të projektit “Programi në Kosovë dhe Iniciativa për Histori Gojore” në vitin 2020. Sipas saj, në këtë kohë ka intervistuar 24 pjesëmarrës të grevës së famshme të minatorëve të “Trepçës” që kishte ndodhur në shkurt të vitit 1989.
Di Lellio theksoi se këto rrëfime të minatorëve apo drejtuesve të minierës në atë kohë, janë botuar në një libër në gjuhën italiane në vitin 2024, ndërsa tash së voni është përkthyer dhe botuar edhe në gjuhën shqipe. “Rrëfimet nxjerrin në pah rrethanat, kushtet, jetën, emocionet, vuajtjet dhe përpjekjet që mandej kishin pasur ndikime në rrjedhat politike në ish-Jugosllavinë e atëhershme”, tha ajo.
Sipas saj, përkundër përpjekjeve nuk ka mundur të gjej asnjë pjesëtar të komunitetit serb që ka punuar si minator apo drejtues në minierën e “Trepçës” në atë kohë. /Klankosova.tv
The post Promovohet libri “Jugosllavia u shemb në Trepçë”, nga autorja Anna Di Lellio appeared first on Klan Kosova.