Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka deklaruar se nuk ka pranuar asnjë raport apo denoncim nga institucionet e sigurisë për gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban, që do ta konsideronte atë rrezik për sigurinë kombëtare të vendit.
Zyrtarja për komunikim me publikun, Arbnora Luta, tha se “sipas regjistrit të Prokurorisë Speciale nuk është evidentuar asnjë rast lidhur me personin për të cilin keni adresuar pyetje”.
Ajo shtoi se PSRK mbetet e përkushtuar për luftimin e krimit, korrupsionit dhe mbrojtjen e interesit publik.
Ndryshe, presidentja Vjosa Osmani dhe nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kanë ngritur dyshime se gjyqtari Laban paraqet rrezik për sigurinë kombëtare.
Osmani tha më 5 gusht se kishte tërhequr një kërkesë nga Gjykata Kushtetuese, pasi gjyqtar raportues ishte caktuar Laban, për të cilin sipas saj, institucionet e sigurisë kishin dorëzuar raporte zyrtare në vitet 2018, 2021 dhe 2024.
Edhe Haxhiu ka deklaruar se në të kaluarën Lëvizja Vetëvendosje kishte kërkuar shkarkimin e Labanit për shkak të së kaluarës së tij kriminale, ndërsa më vonë ka shtuar se ai dyshohet se është “bashkëpunëtor i shërbimit sekret serb BIA”.
Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese ka reaguar duke kujtuar se gjyqtari Radomir Laban u emërua në vitin 2018 pas përmbushjes së “të gjitha procedurave kushtetuese dhe ligjore”, përmes propozimit të Kuvendit dhe dekretimit nga Presidenti i Kosovës.