Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj Faruk Mujkës, dyshohet se i shkaktoi dëm buxhetit mbi 125 mijë euro

news image

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj kryeshefit të Ibër-Lepencit, Faruk Mujka, i cili po akuzohet për dyshime për dallavere gjatë kohës sa ishte nënkryetar i komunës së Mitrovicës. Lajmi është bërë i ditur me një komunikatë për media.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Mujka, bashkë me Hysen Muzliukaj, ish-këshilltar i Faton Pecit, kanë dëmtuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) me mbi 125 mijë euro.

“Të pandehurit akuzohen se, F.M., në pozitën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe H.M., si Drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në të njëjtën komunë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike.”, thuhet në njoftim.

Sipas aktakuzës, më 25 prill 2021, të pandehurit i paraqitën Kuvendit të Komunës një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës pronë, duke e paraqitur si pronë komunale, dhe kështu shkaktuan dëm të konsiderueshëm prej 125,100 euro për AKP. F.M. akuzohet gjithashtu për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.

Prokuroria Speciale ka propozuar shqiptimin e dënimeve plotësuese ndaj të pandehurve F.M. dhe H.M.

Faruk Mujka u arrestua nga PSRK në korrik 2023 për dyshimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Gjatë aksionit, autoritetet sekuestruan 60 mijë euro. Policia e Kosovës ndërmori veprime hetimore dhe më 3 korrik 2023 dorëzoi kallëzim penal ndaj Mujkës dhe Muzliukajt për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Rasti lidhet me kohën kur Mujka ishte nënkryetar i Mitrovicës dhe dyshohet se ka keqpërdorur detyrën duke e kthyer objektin e bibliotekës në Mitrovicë në kafiteri. Hapësira prej 139 metra katrorë e ndërtesës së “Bankosit” në sheshin e Mitrovicës ishte kaluar nga prona shtetërore në pronë private.

Hysni Muzliukaj, ish-këshilltar i Faton Pecit dhe tani drejtor në Institutin e Kosovës për Administratë Publike, ishte arrestuar bashkë me Mujkën.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës, neni 414, parasheh dënim nga 1 deri në 8 vjet për kryerjen e kësaj vepre, ndërsa kur dëmi tejkalon 5 mijë euro, dënimi mund të shkojë deri në 10 vjet burgim.

“Personi zyrtar që e kryen veprën penale nga paragrafi 1 i këtij neni dhe përfitimi apo dëmi e tejkalon shumën prej pesëmijë (5,000) euro, dënohet me gjobë dhe burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet,” thuhet në Kodin Penal.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/