Prokuroria Speciale: Asnjë gazetar nuk është nën hetim

news image

Prokuroria Speciale e Kosovës ka mohuar se ndonjë gazetar është nën hetim, pas deklaratave të presidentes Vjosa Osmani, e cila kishte akuzuar disa gazetarë për lidhje me Milan Radoiçiqin, të dyshuarin kryesor për sulmin e armatosur në Banjskë.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Arbnora Luta, ka deklaruar për RTV21 se nuk ekziston asnjë rast i hapur ndaj ndonjë gazetari.

“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, ju njoftojmë se asnjë gazetar nuk është nën hetim nga Prokuroria Speciale dhe nuk ka asnjë rast të hapur që përfshin gazetarët. Prokuroria Speciale vazhdon të veprojë në përputhje të plotë me ligjin, duke ruajtur pavarësinë, paanshmërinë dhe profesionalizmin në çdo rast,” deklaroi Luta.

Deklarata vjen pas konferencës për media të Presidentes Osmani, ku ajo sqaroi se nuk janë hetuar gazetarët, por persona të tjerë.

“E para, nuk janë hetuar gazetarët. Është hetuar tjetër kush, janë hetuar Radoiçiqat. Kur hetohen Radoiçiqat, dalin bashkëpunëtorët e tyre,” tha Osmani.

Ajo nuk dha emra, duke thënë se hetimet janë në zhvillim: “E dinë ata kush janë, e kanë mizën mas veshi,” u shpreh presidentja.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/