Prokuroria për rastin “Albkings”: Të dënuar me burgim themeluesit dhe administratorët, për anëtarët e thjeshtë u arrit marrëveshje për pranimin e fajësisë

Prokuroria për rastin “Albkings”: Të dënuar me burgim themeluesit dhe administratorët, për anëtarët e thjeshtë u arrit marrëveshje për pranimin e fajësisë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka reaguar pas polemikave të fundit rreth procedurës gjyqësore ndaj të pandehurve për veprën penale “Ngacmim”, ku e dëmtuar është gazetarja A.A.

Në njoftim thuhet se rasti i njohur si “Albkings” është ndarë në dy pjesë:


Një procedurë ndaj themeluesve dhe administratorëve të grupit, e cila ka përfunduar me aktgjykim dënues dhe burgime efektive, ku viktimë ishte edhe gazetarja në fjalë.

Një procedurë tjetër ndaj anëtarëve të identifikueshëm, të cilët nuk kishin kompetenca administrative, por kishin komentuar, shkëmbyer informata dhe kontaktuar të dëmtuarën.

Prokuroria sqaron se gjatë hetimeve janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, përfshirë edhe eksaminimin e telefonave të të dyshuarve. Në këtë fazë, me kërkesën e të pandehurve dhe sipas nenit 230 të KPPRK-së, është zhvilluar procedura për marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, ku e dëmtuara është njoftuar për të drejtën e saj për të paraqitur kërkesë pasurore juridike, e cila është inkorporuar në marrëveshje.

Duke marrë parasysh se vepra penale “Ngacmimi” parashikon dënim me gjobë ose burgim deri në tre vjet, si dhe faktin se të pandehurit ishin për herë të parë para drejtësisë dhe e pranuan fajësinë që në fazën e parë, Prokuroria ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për një dënim më të butë. Ky vendim është miratuar si i ligjshëm edhe nga Gjykata.

Në fund, Prokuroria ka theksuar se nuk është obligim i saj të kërkojë pëlqimin e palës së dëmtuar për lartësinë e dënimit, por vetëm për trajtimin e kërkesës pasurore juridike.