Gazeta Sinjali pati raportuar muaj më parë për një hetim të zhvilluar nga Antidroga e Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit, i cili rezultoi me një aksion policor në Prizren, të koduar “Titani”. Gjatë këtij operacioni u sekuestruan mbi 12 kilogramë substanca narkotike dhe u arrestuan tre persona.
Sinjali mësoi ekskluzivisht se të bëhet fjalë për: Nderim Idrizi, rreth 40-vjeçar, Hasan Hajdari dhe Etnik Merturi, rreth 25-vjeçar.
Lidhur me këtë, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të treve, të cilët që nga marsi i vitit 2025 ndodhen nën masën e paraburgimit. Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 lidhur me nenin 275, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, Idrizi më 28 shkurt 2025, pa autorizim, ka transportuar, dorëzuar dhe shitur substanca të shpallura me ligj si narkotikë. Ai kishte arritur marrëveshje paraprake me blerësin përmes telefonit dhe u takua me të në afërsi të fshatit Landovicë në komunën e Prizrenit. Në këtë mënyrë, ai i shiti blerësit një sasi 972.30 gramë marihuanë për 2,400 euro, duke kryer veprën penale sipas KPRK-së.
“ … pasi pajtohet paraprakisht përmes telefonit me blerësin, takohen në afërsi të fshatit Landovicë të Komunës së Prizrenit, të cilit ia shet substancën narkotike të llojit Marihuanë me peshë të përgjithshme (neto) prej 972.30 gram, në këmbim të vlerës prej 2 mijë e 400 euro, duke kryer kështu veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë me datën 7 mars 2025 rreth orës 21:30, i pandehuri N.I., në bashkëveprim me të pandehurit E.M., dhe H.H., thuhet se pa autorizim shesin, transportojnë, dorëzojnë dhe dërgojnë në transit substanca apo preparate, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë.
“… pasi i pandehuri N.I., pajtohet paraprakisht përmes telefonit me blerësit e tij, takohet me të njëjtit në afërsi të fshatit Landovicë dhe pasi vërteton se blerësit i kishin paratë për blerjen e substancës narkotike, të cilat para i numëron edhe personalisht dhe menjëherë e merr në telefon të pandehurin H.H., me ç’rast ky i fundit duke qenë i shoqëruar edhe nga i pandehuri E.M., pas pak minutash afrohen me veturën e tyre në vendin ku ishte i pandehuri N.I., duke negociuar me blerësit për shitblerjen e substancës narkotike, me ç’rast dalin nga vetura dhe së bashku nxjerrin një qese me ngjyrë të kaltër brenda së cilës ishin 11 (njëmbëdhjetë) foli alumini me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 10,510.36 gram në vlerë prej 25,000.00 Euro (Njëzet e pesëmijë euro)”, thuhet në njoftim.
Ata thuhet se janë arrestuar në flagrancë nga forcat e Policisë së Kosovës përveç të pandehurit H.H., i cili ishte arratisur po ishte arrestuar disa ditë më vonë.
“Përveç tjerash, pas arrestimit të të pandehurit N.I., në vendngjarje policia arrin të sekuestrojë nga i njëjti një pistoletë të kalibrit 7.62 mm M57 së bashku me një karikator me tetë (8) fishekë brenda tij, ku pas zbatimit të urdhër kontrollit në shtëpinë e tij, gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar edhe katër (4) fishekë të pistoletës dhe pajisje për pastrimin e armës, me ç’rast duke vepruar kështu, i njejti ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, thuhet se i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!