Prokuroria liron psikiatrin Behar Kamberi, zbulohen mesazhet ndaj moderatores

Prokuroria liron psikiatrin Behar Kamberi, zbulohen mesazhet ndaj moderatores

Behar Kamberi, mjeku psikiatër nga Kosova, është liruar nga masa e ndalimit, pas vlerësimit të rrethanave nga Prokuroria e Tiranës.

Kamberi ishte arrestuar disa ditë më parë nga Policia e kryeqytetit, pas një kallëzimi të bërë nga moderatorja sportive Albano Bejko, e cila pretendonte se ishte përndjekur nga ai.


Sipas burimeve zyrtare, prokuroria e Tiranës mori në shqyrtim materialin e referuar nga Komisariati Nr. 2, ku përfshihej edhe deklarata e kallëzueses si dhe provat e dërguara nga strukturat e policisë, përfshirë këqyrjen e komunikimeve mes dy palëve.

Behar Kamberi

Në fokus të hetimeve ishin disa mesazhe të dërguara nga mjeku Kamberi drejt Bejkos, ku ai shprehte interes romantik, përfshirë deklarata si: “Të dua… dëshiroj të martohem me ty” dhe “Jeni shumë e bukur, dua t’ju takoj se kam ardhur nga Kosova vetëm për ju”.

Megjithatë, pas analizimit të përmbajtjes së këtyre mesazheve, prokuroria ka vlerësuar se komunikimet nuk përmbanin tone kërcënuese, intimidim apo përmbajtje që të përbëjnë vepër penale të përndjekjes.

Në këtë kontekst, janë konsideruar si shprehje të një ndjenje sentimentale që nuk cenonin sigurinë apo mirëqenien e kallëzueses.

Bazuar në këtë vlerësim, organi i akuzës ka vendosur të mos vijojë më tej me masën e paraburgimit, duke urdhëruar lirimin e Behar Kamberit nga qelia.