Prokuroria kërkon t’i vazhdohet paraburgimi Thaçit: Ekziston klima e frikësimit të dëshmitarëve

Zyra e Prokurorit të Specializuar e udhëhequr nga prokurorja Kimberly West ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit për Hashim Thaçin në rastin në të cilin së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në kërkesën e dorëzuar më 22 shtator 2025, Prokuroria… thotë se ekziston dyshimi i bazuar se Thaçi ka kryer vepra penale që bien në juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

Për ta mbështetur këtë arsyetim, Prokuroria… është bazuar edhe në vendimin për konfirmimi e aktakuzës në këtë rast. Sipas tyre, asnjë rrethanë tjetër nuk ka ndodhur që prej atij vendimi që mund ta ndryshojë këtë përcaktim.

Për Thaçin, Prokuroria thotë së është i vetëdijshëm për akuzat serioze të konfirmuara ndaj tij dhe se ai e di që në rast që shpallet fajtor, do të dënohet me burgim të gjatë. Përveç kësaj, Prokuroria…, rrezikun e arratisjes së Thaçit e arsyeton edhe me akuza e konfirmuara ndaj tij që lidhen me administrimin e drejtësisë.

Përveç kësaj, Prokuroria thotë se Thaçi paraqet rrezik jashtëzakonisht të lartë për të penguar procedurat në këtë proces dhe se përfundimi i çështjes së Prokuroria dhe mbrojtësit të viktimave nuk e zhduk këtë rrezik, raporton Betimi për Drejtësi, transmeton Klankosova.tv.

Sipas Prokurorisë…, dëshmitarët mbeten të rrezikuar që të ndikohen edhe pas dhënies së dëshmisë së tyre; si përpjekje për hakmarrje, ose nxitje për të tërhequr dëshminë apo përpjekje për të ndërhyrë në procedura paralele.

Gjithashtu, Prokuroria… përmend edhe pretendimet e saj se Thaçi ka shkelur edhe urdhrat gjyqësor duke nxjerrë informacione konfidenciale lidhur me procedurat dhe dëshmitarët te persona të tjerë.

“Për më tepër, klima e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve dhe e ndërhyrjes në procedurat penale kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Kosovë vazhdon, të cilën Gjykata e Apelit e ka pranuar si një “rrethanë kontekstuale” të rëndësishme. Gjetje të ngjashme janë bërë në aktgjykimin ndaj Mustafës dhe në aktgjykimin e Apelit në çështjen Gucati dhe Haradinaj. Paneli gjyqësor në rastin Gucati dhe Haradinaj konsideroi se “mbrojtja e dëshmitarëve ka vazhduar të jetë një çështje aktive dhe kritike në Kosovë”, thuhet në parashtrimin e Prokurorisë…

Përveç kësaj, Prokuroria… u mbështet edhe në dëshminë e ekspertit të mbrojtjes në çështjen ndaj Gucatit dhe Haradinajt, Robert Reid, i cili kishte theksuar se në mbi 20 vjet në fushën e tij, nuk kishte parë kurrë frikësim të dëshmitarëve në nivelin që ekziston në Kosovë.

Sipas Prokurorisë…, kjo klimë e frikësimit të dëshmitarëve vazhdon të ekzistojë në Kosovë edhe pas dhënies së dëshmisë së tyre duke iu referuar edhe raportimeve në media në Kosovë.

Kërkesën e saj për vazhdimin e paraburgimit ndaj Thaçit, Prokuroria… e mbështet edhe me arsyetimin se i akuzuari ka rrezik të kryejë edhe vepra të tjera penale.

Si rrjedhojë, Prokuroria… thotë se asnjë prej kushteve alternative nuk i zbusin rreziqet ekzistuese në këtë proces dhe se vazhdimi i paraburgimit ndaj Thaçit është i arsyeshëm dhe proporcional.

Ndryshe, mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e përfundoi më 23 shtator 2025.

Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë

DHSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria… ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetisht.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

The post Prokuroria kërkon t’i vazhdohet paraburgimi Thaçit: Ekziston klima e frikësimit të dëshmitarëve appeared first on Klan Kosova.