Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj zyrtarit komunal që u kap në flagrancë duke marrë ryshfet.
Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht identitetin e zyrtarit që u arrestua në Komunën e Gjakovës, nën dyshimin për veprën penale “Marrje e ryshfetit”.
Bëhet fjalë për Kelmend Vulën, 61-vjeçar, i cili punon në zyrën për regjistrimin e bizneseve në ARBK – Komuna e Gjakovës.
Sipas hetimeve, ai dyshohet se kishte kërkuar dhe marrë para nga një qytetar për të rregulluar dokumentacionin dhe për të plotësuar formularin e aplikimit për hapjen e një biznesi.
Rasti u zbulua pas një hetimi të zhvilluar nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NJRHKEK) në Gjakovë, e cila, me urdhër të Gjykatës Themelore, kishte zbatuar masën e fshehtë “dhënia dhe marrja e simuluar e ryshfetit”.
Mëngjesin e së hënës, rreth orës 09:30, gjatë kontrollit të kryer pranë zyrës së tij, tek i dyshuari u gjetën dhe u sekuestruan paratë që paraprakisht i kishte marrë nga i dëmtuari E. H.
Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Në kërkesën e Prokurorisë për paraburgim, ndër të tjera theksohet: “Ekziston dyshimi se i pandehuri me inicialet K.V., më datë 25.08.2025 në Gjakovë, në cilësi të personit zyrtar – zyrtar për regjistrim të bizneseve në Komunën e Gjakovës, me qëllim të përfitimit për vete në mënyrë të drejtpërdrejt i kërkon të holla të dëmtuarit E.C., për rregullimin e dokumenteve të regjistrimit të biznesit, pasi i dëmtuari kishte aplikuar për hapjen e biznesit të tij, ashtu që më datë 01.09.2025, gjatë zbatimit të urdhëresës së gjykatës për masat e veçanta hetimore është arrestuar në flagrancë i pandehuri pasi ka pranuar shumën e të hollave prej 30 euro”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.