Gazeta Sinjali raportoi mëngjesin e sotëm se një zyrtar policor i Njësisë Speciale është vënë në pranga në Mitrovicë, nën dyshimet për përfshirje në veprimtari të paligjshme.
Sinjali mësoi se arrestimi është bërë mbrëmë në Mitrovicë, ku polici dyshohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ndihmë kryerësve pas kryerjes së veprës penale”.
Bëhet fjalë për Murat Latifin, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar ngushtë me familjen Gerbeshi, e cila është nën hetim për aktivitete kriminale.
Tutje Sinjali raportoi se Latifi dyshohet se: u ka dhënë ndihmë dhe informata të vazhdueshme familjes Gerbeshit, në një rast ka transportuar me veturën e tij një nga të dyshuarit, duke i mundësuar shmangien e arrestimit, dhe ka kryer edhe veprën penale të “Zbulimit të fshehtësisë zyrtare”.
Lidhur me këtë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për Latifin.
“Ekziston dyshimi se me datë 02 shtator 2025 në fshatin Ropicë të Vushtrrisë, i pandehuri me dashje e duke e shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar si zyrtar policor, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe personin tjetër, shkon tek shtëpia e të pandehurit K.M., dhe e merr dhe e largon nga shtëpia duke shkuar në drejtim të Prishtinës.”, thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë, me datë 18 qershor 2025, Latifi kontaktohet përmes telefonit nga i pandehuri K.M., i cili e vëren një dron mbi shtëpinë e tij dhe e pyet të pandehurin M.L., se a është duke u hetuar nga policia, i dyshuari – zyrtar policor e informon se në rast kur ai është duke u hetuar ose të ketë veprime tjera do ta njoftojë.
“Po ashtu, i pandehuri M.L., në shtëpinë e tij në Vushtrri ka mbajtur një sasi të fishekëve, si dhe në një lokal nate i njëjti përdor armën e tij duke shtënë brenda lokalit shtatë – tetë here, si dhe një ditë tjetër shihet duke shtënë tre herë, pamje këto të publikuara nëpër rrjete sociale, të gjitha këto veprime në kundërshtim me Ligjin mbi armët.
Të pandehurit, gjatë bastisjes së mbrëmshme në shtëpinë dhe veturën e tij, i janë sekuestruar dy telefona dhe fishekë.”, thuhet mes të tjerash.
Seanca për caktimin e paraburgimit për të pandehurin do të mbahet pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.