Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, ka ndaluar dhjetë persona gjatë një aksioni të zhvilluar në fshatin Rimanisht të Komunës së Prishtinës, raporton Gazeta Sinjali.
Të dyshuarit, përfshirë edhe shtetas të Republikës së Shqipërisë, akuzohen për veprat penale: ‘’Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, paisjeve apo materialeve narkotike’’, dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.
Nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të substancave psikotrope, armë zjarri, si dhe prova të tjera materiale, të cilat do të përdoren në procedurën hetimore.
“Prokurori i shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës kanë dalur menjëherë në vendin e ngjarjes. Të dyshuarit janë ndaluar dhe brenda afatit ligjor do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë thekson se mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndjekjen e veprave penale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!