Prokuroria e Shtetit angazhon rreth 100 prokurorë për mbrojtjen e votës së lirë

Prokuroria e Shtetit angazhon rreth 100 prokurorë për mbrojtjen e votës së lirë

Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial janë angazhuar sot në gjithë territorin e Republikës së Kosovës për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve gjatë zhvillimit të zgjedhjeve lokale, raporton Telegrafi.

Sipas komunikatës zyrtare, prokurorët dhe stafi mbështetës po qëndrojnë kujdestarë deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të garantimit të integritetit të votimit dhe trajtimit të menjëhershëm të çdo parregullsie të mundshme.


Prokurorët janë të vendosur në zyrat e prokurorive themelore në qytetet përkatëse, ndërsa në komunat ku mungon objekti i prokurorisë, ata po qëndrojnë në stacionet policore.

Aty, në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës, po punojnë për të siguruar zhvillimin e një procesi të drejtë dhe transparent zgjedhor.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, po mbikëqyr zbatimin e detyrave të koordinatorëve rajonalë, të prokurorëve të angazhuar dhe të prokurorit me detyrë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Në fund, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka ftuar qytetarët, subjektet politike dhe institucionet të denoncojnë çdo rast të dyshuar për keqpërdorim apo manipulim të votës në prokuroritë përkatëse, për të siguruar që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të ligjshme dhe demokratike. /Telegrafi/