E enjte, 11 Dhjetor, 2025
spot_img
HomeLajmeProkuroria e Pejës ngre aktakuzë ndaj 10 personave për organizim të bixhozit...

Prokuroria e Pejës ngre aktakuzë ndaj 10 personave për organizim të bixhozit të paligjshëm dhe armëmbajtje pa leje

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj dhjetë personave për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

Sinjali pati raportuar ekskluzivisht emrat e të dyshuarve, ku bëhet fjalë për: Asim Osdautaj, rreth 38-vjeçar, Gani Neziraj, rreth 41-vjeçar, Arlent Shala, rreth 48-vjeçar, Hysen Rabushaj, rreth 52-vjeçar, Mendim Kukleci, rreth 33-vjeçar, Petrit Avdimetaj, rreth 30-vjeçar, Endrit Berisha, rreth 30-vjeçar, Arsim Januzaj, rreth 37-vjeçar, Rame Bajramaj, rreth 49-vjeçar, Florent Mushkolaj, rreth 33-vjeçar.

Ndërkaq, ndaj Mushkolaj është ngritur aktakuzë për veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, siç parasheh Kodi Penal i Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, e cila përmban gjithsej 26 faqe, prokurori ka detajuar veprimet inkriminuese të njëmbëdhjetë të pandehurve dhe ka përshkruar rolin e secilit në realizimin e veprave penale.

Hetimet kanë treguar se i pandehuri Osdautaj më 17 gusht 2025 rreth orës 02:00, në lokalin e tij “Te Katamt” në fshatin Isniq të Deçanit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, ka organizuar veprimtari të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Në një dhomë të veçantë brenda lokalit, e destinuar për lojëra fati, ai kishte mundësuar zhvillimin e lojërave të bixhozit.

Në këtë aktivitet ishin përfshirë edhe nëntë të pandehur të tjerë, të cilët sipas prokurorisë kanë vepruar në bashkëkryerje për të përfituar dobësi pasurore. Gjatë ndërhyrjes së policisë, disa prej tyre tentuan të largoheshin përmes një dere alternative, por u arrestuan në vendngjarje.

Policia ka sekuestruar në tavolinën e bixhozit letra loje dhe një shumë të konsiderueshme parash – gjithsej 17,578 euro, të gjetura tek secili nga të pandehurit. Sekuestrimi është kryer me autorizim të prokurorit të shtetit.

Ndërkohë, i pandehuri F.M ngarkohet se gjatë natës së ngjarjes ka poseduar armë pa autorizim, për çka përballet me akuzën për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria thekson se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprave penale që u vihen në barrë.

Me ngritjen e aktakuzës, prokurori i çështjes ka propozuar që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT