Drenica ka marrë një fitore të madhe në udhëtim te kampioni në fuqi, Drita, duke triumfuar me rezultat minimal 1-0, vetëm një ditë pas një ‘mjegulle’ që tentuan të krijojnë tifozët e klubit, të njohur si “Shqiponjat e Zeza”.
Ky sukses e ngjit skuadrën e Drenicës në vendin e katërt të renditjes me 7 pikë pas katër javëve, duke konfirmuar një start të fuqishëm në këtë edicion.
Në këtë fillim kampionati, më mirë se Drenica janë vetëm Dukagjini me 9 pikë dhe Ballkani me 8 pikë, ndërsa Drenica ka aq pikë sa edhe Prishtina (nga 7 sosh).
Bylbyl Sokoli FOTO: Femi Sejdijaj
Fitorja erdhi vetëm një ditë pas reagimit të tifogrupit “Shqiponjat e Zeza”, të cilët paralajmëruan bojkot për shkak të pakënaqësive ndaj trajnerit Bylbyl Sokoli.
Megjithatë, rezultati në Gjilan dëshmoi edhe një herë se Sokoli mbetet një trajner me vlera në futbollin kosovar, i cili di të ndërtojë skuadra konkurruese dhe të nxjerrë maksimumin nga grupi i tij.
Në futbollin vendor, profesori Sokoli është ndër emrat më të njohur dhe me përvojë, duke udhëhequr ndër vite disa prej ekipeve më të rëndësishme dhe duke treguar vazhdimisht aftësi për të krijuar projekte të qëndrueshme dhe skuadra që luftojnë për rezultate.
Ndeshjen e radhës, Drenica do ta presë Dukagjinin në Skenderaj, ndërsa Drita do të kërkojë këndelljen në shtëpi ndaj Prishtinës së Re. /Telegrafi/