Prof. Dr. Fadil Çitaku prezantoi modelet inovative të neurolidershipit në Konferencën Ndërkombëtare të Mjekësisë në Kuala Lumpur

Prof. Dr. Fadil Çitaku prezantoi modelet inovative të neurolidershipit në Konferencën Ndërkombëtare të Mjekësisë në Kuala Lumpur

Një ndër figurat më të njohura shqiptare në arsimin mjekësor ndërkombëtar, Prof. Dr. Fadil Çitaku prezantoi në Kuala Lumpur qasje të reja nga neurolidershipi dhe inteligjenca emocionale, duke përfaqësuar me krenari Shqipërinë, Kosovën dhe Zvicrën

Nga 9 deri më 12 tetor 2025, në Kuala Lumpur, Malajzi, u mbajt konferenca shkencore ndërkombëtare ICME–IMEC in Medical Education, një nga ngjarjet më të rëndësishme botërore në fushën e arsimit mjekësor. Në këtë konferencë morën pjesë profesorë, dekanë, studiues dhe përfaqësues të institucioneve shëndetësore nga shumë vende të botës.


Ndër folësit kryesorë ishte Prof. Dr. Fadil Çitaku, profesori nga Drenica, i cili prej dekadash punon në arsimin e lartë në Zvicër dhe është themeltues dhe udhëheqës i Akademisë së Shkencave të Lidershipit në Zvicër (Academy of Leadership Sciences Switzerland – ALSS, www.alss-edu.ch

Në datën 9 tetor, Prof. Çitaku hapi konferencën me një kurs të posaçëm për dekanët e fakulteteve të mjekësisë, profesorët universitarë dhe përfaqësuesit e ministrive të shëndetësisë të Malajzisë, ku trajnoi pjesëmarrësit në fushën e Neurolidership-it dhe Inteligjencës Emocionale. Ai prezantoi Modelet e Kompetencave të Neurolidership-it Çitaku dhe Drenica, duke integruar kërkimet më të reja nga neuroshkenca për zhvillimin e lidershipit modern.

Në datën 11 tetor, Prof. Çitaku mbajti fjalimin e tij si folës kyç, me temën “Si të rritet rezilienca në lidershipin global”. Ai solli qasje të reja shkencore dhe praktike nga neurolidershipi, fushë në të cilën ai konsiderohet ndër studiuesit më të avancuar në botë.

Në të dy aktivitetet e tij, profesori lidhi konceptet e neurolidershipit edhe me modelin inovativ “Health Revolution” të Hetem Ramadanit, duke theksuar rëndësinë e mjekësisë së stilit të jetesës në parandalimin dhe trajtimin e shumë sëmundjeve bashkëkohore.

Pjesëmarrja e Prof. Çitakut u prit me shumë interes nga audienca ndërkombëtare, ndërsa ai dha edhe intervista për mediat malajziane, ku foli për rolin e neuroshkencës në udhëheqjen moderne dhe për përvojën e tij shumëvjeçare në arsimin ndërkombëtar.

Vlen të përmendet se, megjithëse ftohet çdo herë në emër të Akademisë së Shkencave të Lidershipit në Zvicër, Prof. Çitaku prezantimet e tij ndërkombëtare i nis gjithmonë me flamujt kombëtarë të Shqipërisë, Kosovës dhe Zvicrës, si simbol i përkatësisë, bashkëpunimit dhe respektit për të tri vendet që ai përfaqëson me krenari.

Në këtë konferencë ndërkombëtare, Prof. Dr. Fadil Çitaku përfaqësoi me dinjitet gjithashtu Institutin për Avancim Kombëtar (IPAK) www.ipak-institute.com, institucion të cilin ai është bashkë-inicues dhe bashkë-themelues. Ky institut në gjirin e vet përfshin shkencëtarë, studiues dhe profesionistë të shquar nga diaspora shqiptare dhe vendet Amë, duke promovuar zhvillimin, bashkëpunimin akademik dhe përfaqësimin dinjitoz të vlerave kombëtare shqiptare në arenën ndërkombëtare dhe duke ndihmuar Avancimin Kombëtar.

Academy of Leadership Sciences Switzerland (ALSS), e udhëhequr nga Prof. Dr. Çitaku, ofron programe inovative, BSc, MBA dhe PhD me fokus në Neurobusiness, Neuroleadership, Neuromarketing, si edhe në të Drejtën Sportive dhe fusha të tjera. /Telegrafi/