Në pamundësi të dëgjjimit të dëshmitares bashkëpunuese Adelina Gashi, për shkak të problemeve teknike, ka dështuar të mbahet seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin e njohur si âPatentë shoferëtâ.
Dëshmitarja bashkëpunuse Gashi ishte paraparë të dëgjohet përmes video-linkut në Google Meet, mirëpo kjo u bë e pamundur për shkak të disa problemeve teknike nga ana e dëshmitares.
Gashi planifikohej të dëgjohej në këtë mënyrë, për shkak që kishte njoftuar se nuk mund të jetë prezente në Gjykatë për shkak të problemeve shëndetësore të fëmijës së saj.
Lidhur me këtë, mbrojtësi i të akuzuarit Enver Fazliu, avokati Bekim Kafexholli tha se kjo dëshmitare nuk është duke e dhënë dëshminë përmes rrugëve zyrtare dhe nëse kemi një dëshmi të tillë dy herë, po përsëritet gabimi.
Avokati tha se në seancën e kaluar trupi gjykues e ka detyruar Prokurorinë që ta sigurojë prezencën e dëshmitares bashkëpunuese për këtë seancë dhe nëse kjo nuk është e mundur atëherë të vazhdohet përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.
Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Naser Llugaliu, avokati Hamdi Ibrahimi tha se kjo dëshmitare me përcaktimin e saj si dëshmitare bashkëpunues është intervistuar përmes platformës Zoom, mundësi e panjohur në atë kohë.
Ai tha se përveç kësaj, në shkresa të lëndës tregohet se seanca degjimore në lidhje me kërkesën e prokurorit të shtetit që kjo e pandehur të shpallet si dëshmitare bashkëpunuese, në realitet nuk është mbajtur në funksion të vlerësimit të besueshmërisë së deklaratës së saj, por është marrë sikur të ishte në shqyrtim gjyqësor, ashtu që e ka marrë në pyetje prokurori e jo gjyqtari i procedurës paraprake.
Andaj, avokati Ibrahimi kërkoi nga Gjykata që në interes të drejtësisë të revokojë urdhrin me të cilin kjo dëshmitare është shpallur dëshmitare bashkëpunuese.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Besfort Pozhegu, avokati Besnik Berisha, tha se ajo çka është shqetësuese është saktësia e deklaratës që po synohet të merret, nëse dëshmitarja e ka shkruar deklarimin si gazetare apo do ta thotë të vërtetën për të cilën ka pritshmëri nga mënyra se si ajo ka aranzhuar këtë formë të dëshmisë nga shtëpia.
Berisha tha se nga përvoja e tij së paku 30 dëshmitarë të dëgjuar përmes video-linkut, asnjëherë nuk ka ndodhur ku së paku një zyrtar i gjykatës nuk ka qenë prezent për të verifikuar çdo gjë rreth tij dhe të sigurohet se dëshmia është e vlefshme.
Po ashtu, ai shtoi e në rastin konkret, dëshmia mund të jetë tekst i shkruar ose me vullnet të diktuar, për këtë arsye kjo formë është absolutisht e kundërligjshme, e se asnjëherë gjykata nuk ka pritur pakufi që njëra palë ta sigurojë dëshmitarin e vet.
Andaj, ai ka kërkuar nga Gjykata që ultimatumi të jetë i qartë, të jetë prezente dëshmitarja bashkëpunuese në seancën e radhës ose të jepet dëshmia para një gjyqtari ku ajo është me lokacion ose të konsiderohet se dëshmitarja nuk është paraqitur.
Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, e njëjta është shtyrë për një datë tjetër.
Ndryshe, në seancën e 14 qershorit 2023, 28 nga 31 të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për akuzën e ngritur më 31 mars 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Në këtë rast, për korrupsion dhe vepra tjera penale akuzohen: Naser Llugaliu, Filloreta Ajvazi, Flora Ferizi, Adem Binakaj, Leurat Shehu, Agim Restelica, Flamur Lekaj, Shaban Zuka, Eduard Brahimaj, Dragan Zhivkoviq, Naser Bislimi, Azem Miftari, Labinot Ajeti, Magbule Mehmeti, Avdush Topalli, Pemtim Topallli, Selim Rrustemi, Fatos Ferizi, Besfort Pozhegu, Naim Thaqi, Sylë Bejta, Ekrem Latifi, Dritmir Islami, Murtez Rama, Hasan Hasani, Milazim Demolli, Lindita Hoxha, Enver Fazliu, Burim Jashari, Fejzullah Ejupi dhe Bashkim Jetullahu.
Për Burim Jasharin, Fejzullah Ejupin dhe Bashkim Jetullahun, procedura penale është veçuar (për secilin veç e veç)./BetimipërDrejtësi
Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>