Tuesday, March 31, 2026
spot_img
HomeLajmePrishtinasit alarmojnë për rreziqe tjera të shembjes së dheut, dërgojnë video nga...

Prishtinasit alarmojnë për rreziqe tjera të shembjes së dheut, dërgojnë video nga vendpunishtet, flasin edhe ekspertët (VIDEO)

Përveç si kryeqytet, Prishtina vazhdon të jetë edhe qendër e shumë ndërtimeve të reja.

Ngritja e ndërtesave dhe objekteve shpesh nuk kalon nën “llupën” e inspektorëve komunalë, derisa edhe mënyra e lëshimit të lejeve ndërtimore kritikohet vazhdimisht.

Rasti i fundit i shembjes së dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë, ka alarmuar qytetarët, të cilët kanë dërguar fotografi dhe video të shumta nga lagje të ndryshme të kryeqytetit, ku sipas tyre, vendpunishtet janë pa asnjë masë mbrojtëse dhe që paraqesin rrezik për sigurinë e tyre.

Për Klankosova.tv, ata kanë thënë se për raste të tilla vazhdimisht janë ankuar në komunën e Prishtinës, por që sipas tyre, nuk janë marrë parasysh.

Një qytetare ka dërguar pamje nga një vendpunishte në Rrugën C, që sipas saj, çdo ditë paraqet problem për banorët.

Gjithashtu, edhe qytetarë të tjerë kanë dërguar video në Klankosova.tv, me situata të ngjashme të hapjes së gropave, e të punimeve pa mbrojtëse përkatëse.

Ndërkohë, arkitektët dhe inxhinierët kanë thënë se situata me ndërtimet në Prishtinë vazhdon të jetë alarmante, pasi zyrtarët komunalë nuk e kryejnë punën siç duhet sa i përket inspektimit dhe mbikëqyrjes.

Inxhinier i ndërtimit, Dedë Nikolla për Klankosova.tv tregoi shkaqet më të shpeshta që çojnë në rrëshqitjen apo shembjen e dheut gjatë punimeve ndërtimore.

Ai vlerëson se, pavarësisht se masat mbrojtëse si pilotat duket se kanë qenë të vendosura në mënyrë të rregullt, shkaku kryesor mund të ketë qenë erozioni në pjesën e poshtme të gropës.

Në një përgjigje të detajuar, ai rendit faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë fenomen, si dhe masat që duhet të ndërmerren për të rritur sigurinë dhe për të parandaluar rreziqet.

Nikolla rekomandon që gjatë hapjes së gropave ndërtimore të punohet me faza dhe me kujdes të shtuar, sidomos në rastet kur hasen ujëra nëntokësore.

“Gjatë gërmimit, nëse vërehen ujëra nëntokësore duhet menjëherë të ndërpritet gërmimi dhe të merren masa shtesë për sigurimin e gropës.”, ka thënë ai.

Një tjetër faktor i rëndësishëm, sipas tij, janë ngarkesat shtesë pranë gropave ndërtimore, veçanërisht nga makineritë e rënda që shkaktojnë vibrime.

Për këtë, ai sugjeron vendosjen e sinjalistikës paralajmëruese dhe kufizimin e qarkullimit të automjeteve të rënda pranë zonës së punimeve.

Po ashtu, ai thekson rëndësinë e projektimit dhe zbatimit korrekt të elementeve mbrojtëse si pilotat, muret mbrojtëse dhe gabionet.

“Distanca në mes pilota duhet të jetë e saktë dhe sipas nevojës duhet të vendosen elemente shtesë aty ku është e nevojshme siç janë edhe ankerimet horizontale.”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, rëndësi të veçantë sipas inxhinierit të ndërtimit ka edhe  monitorimi i vazhdueshëm i gjendjes së strukturave mbrojtëse gjatë punimeve.

“Nëse gjatë aktivitetit të punimeve vërehen çarje, deformime ose zhvendosje duhet të kemi kujdes, sepse janë shenja që toka po lëviz dhe mundësia për rrëshqitje sa vjen e rritet,” përfundoi ai.

Ndryshe, pas rastit të shembjes së dheut, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se ka pezulluar nga puna dy inspektorët e zonës ku ka ndodhur rasti, si dhe zyrtari përgjegjës për lëndën.

Derisa, hetimet janë duke u zhvilluar edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nën dyshimet për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës, si dhe të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm./Klankosova.tv

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT