Prishtina ka shënuar fitore bindëse si mysafire e Ferizajt me rezultat 5-0, në kuadër të javës së gjashtë të Superligës së Kosovës, duke treguar se është një nga kandidatët kryesorë për titull.
Ndeshja u ndërpre për 30 minuta, pasi tifozët ferizajas “Ujqit” dhe ata prishtinas “Plisat” u përleshën jashtë stadiumit.
Pas rifillimit të lojës, Prishtina kaloi në epërsi me Arbnor Mujën, i cili shënoi pas një kombinimi shumë të bukur me Mario Iliveskin. Dyshja bashkëpunoi sërish në minutën e 41-të, kur sulmuesi maqedonas Iliveski shënoi për 2-0.
Pak para fundit të pjesës së parë, Dren Zeqiri realizoi golin e tij të parë në Superligën e Kosovës, duke e çuar rezultatin në 3-0.
Edhe pjesa e dytë zhvillohej me të njëjtin ritëm, me Prishtinën që dominonte në lojë ndaj një Ferizaji të pafuqishëm. Blend Baftiu, i futur në pjesën e dytë, shënoi në minutën e 77-të për 4-0, ndërsa i riu Rin Ahmeti vulosi rezultatin 5-0 vetëm pak minuta më pas.
Me këtë fitore, Prishtina ngjitet në krye të tabelës si lidere e vetme me 16 pikë, ndërsa Ferizaj bie në fund të renditjes me vetëm 6 pikë. /Telegrafi/