Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka publikuar një video në rrjetet e tij sociale ku ka folur për mungesën e sigurisë dhe infrastrukturës për këmbësorët në kryeqytet, duke theksuar se kjo është një prej çështjeve më të rëndësishme që kërkon trajtim të menjëhershëm dhe për këtë ka ofruar disa zgjidhje konkrete.
Në video, Ismaili shfaqet duke biseduar me qytetarë, të cilët ndanë shqetësimet e tyre për mungesën e trotuareve dhe rrezikun e madh me të cilin përballen çdo ditë këmbësorët. Njëra nga qytetaret tha se ecja nëpër Prishtinë është bërë e rrezikshme, ndërsa një nënë theksoi vështirësitë e mëdha për të lëvizur me karrocë fëmijësh në rrugët e qytetit.
Ismaili tregoi se 41% e qytetarëve të Prishtinës preferojnë ecjen si formë transporti, ndërkohë që vetëm 20% e rrugëve të kryeqytetit kanë trotuare dhe se në katër vitet e fundit nuk është ndërtuar asnjë trotuar i ri.
Në planin e tij për një Prishtinë funksonale, ai paralajmëroi ndërtimin e 450 kilometrave trotuare të reja, riparimin dhe zgjerimin e trotuareve në 100 rrugë ekzistuese, lirimin e tyre nga veturat, si dhe vendosjen e 100 pushimoreve me hije e renovimin e shkallëve dhe ulëseve publike në çdo lagje.
“Është Koha për Prishtinën, e për krejt problemet ka zgjidhje,” përfundon Ismaili në video.
The post Prishtina pa trotuare në katër vitet e fundit, Uran Ismaili jep zgjidhjet e tij për kryeqytetin me këmbësorë appeared first on Klan Kosova.