Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se projekti “Park & Ride” po bëhet realitet në kryeqytet, duke nisur me marrëveshjen e bashkëpunimit mes Komunës së Prishtinës dhe Prishtina Mall.
Sipas marrëveshjes, qytetarët do të kenë mundësinë të parkojnë falas veturat e tyre në hapësirat e Prishtina Mall dhe të marrin po ashtu bileta falas për autobusët urbanë, që i dërgojnë direkt në qendër të kryeqytetit.
Ky sistem synon të:
zvogëlojë kolonat dhe trafikun në qytet,
kursejë kohë dhe para për qytetarët,
dhe të mbrojë mjedisin përmes uljes së ndotjes.
Rama theksoi se kjo është një hap i madh për ta bërë Prishtinën më të qasshme e më të pastër, si dhe për të krijuar një model të suksesshëm të bashkëpunimit publik-privat.
Përveç lokacionit në Prishtina Mall, pika të tjera të sistemit “Park & Ride” do të funksionalizohen edhe në Fushë Kosovë dhe në Kodrën e Trimave.