“Nxënësit që nuk i kanë pasur librat i kanë larguar nga ora e mësimit”, thotë një prind nga Medvegja i cili jeton në Kosovë tash e 20 vjet. Babai i tre fëmijëve tregon për KosovaPress, vështirësitë me të cilat përballet si pasojë e mungesës së dokumentacionit kosovar.
Tash e tri vjet, Qeveria e Kosovës po aplikon mënyrën e subvencionimit të teksteve shkollore, duke i financuar prindërit për blerjen e librave. Aplikimi bëhet përmes platformës eKosova dhe mjetet u ndahen prindërve përmes xhirollogarive të tyre bankare.
Por, të njëjtën metodë nuk kanë mundur ta aplikojnë banorët rezidentë që vinë nga Lugina e Preshevës, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, dhe vendeve të tjera të banuara me shqiptarë, në mungesë të dokumentacionit.
Në javën e dytë pas fillimit të procesit mësimor, më 9 shtator, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njoftoi prindërit nga këto vende se tani “kanë të drejtë të aplikojnë për subvencionim për tekste mësimore dhe materiale shkollore”.
“Për qytetarët rezidentë në Republikën e Kosovës nga këto rajone, të cilët për shkak të mungesës së dokumentacionit nuk mund të kryejnë aplikimin përmes platformës e-Kosova, sqarojmë se, platforma e-Kosova është e ndërlidhur me Regjistrin e Personave me Lejeqëndrim”, tha Ministria të martën.
Prindi me të cilin bisedoi KosovaPress më 8 shtator, tregon se ai ende nuk ka arritur të sigurojë në tërësi librat për këtë vit shkollor, për fëmijët të cilët ndjekin mësimin në kryeqytet.
“Është viti i tretë kështu…vetëm që i kanë dhënë disa mësuese disa libra të vjetra dhe që po duhet me i ble vet…Vjet kemi pasur problem se i kanë larguar prej orës nxënësit [në mungesë të librave]”, tregon ai për KosovaPress.
“Mos të na lenë shteti anash, sepse ne kemi mbetur as me Serbi, as me Kosovë. Në Kosovë dokumente nuk na japin, as në Serbi kemi mbetur pa dokumente. Fëmijët tanë kanë mbetur askund hiç, kjo është kryesorja”, shton ai.
Në njoftimin e Ministrisë të martën u tha se për të realizuar me sukses aplikimin, është e domosdoshme të plotësohen dy kushte: Numri i lejeqëndrimit të prindit aplikues duhet të jetë i ndërlidhur me numrin personal të fëmijës, të regjistruar në Regjistrin Civil. Në rast të mospërputhjes, prindi duhet të paraqitet në zyrën e gjendjes civile për të bërë ndërlidhjen e numrit personal të prindit me atë të fëmijës; Xhirollogaria bankare duhet të jetë në emër të prindit aplikues dhe e raportuar në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) me numrin personal të lejeqëndrimit.
Qytetarë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci që nga paslufta po ballafaqohen me sfida e probleme si shkak i mungesës së dokumentacioneve.
Nënkryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa thotë se nuk ka numër të saktë të këtyre qytetarëve, por sipas tij janë me mijëra.
“Për 25 vjet po të kishe bërë azil në Zvicër, në Gjermani, në Amerikë do t’i merrje dokumentet, ndërsa këtu në shtetin tonë, në shtetin amë, në shtetin tonë më të dashur në botë, nuk munden akoma të realizojnë këtë të drejtë elementare të qytetarit”, thotë ai.
Rinor Qehaja, drejtor në Institutin për Studime të Arsimit “EdGuard”, theksoi ditë më parë për KosovaPress rëndësinë e zgjidhjes për këta nxënës.
“eKosova aplikimin e kufizon me numra personal të fëmijëve dhe për rrjedhojë të prindërve. Kjo pa dyshim është një kufizim që paraqet pengesë për ata prindër që nuk kanë nënshtetësi kosovare ose për një apo një arsye tjetër mungojnë në dokument…Është teknike për të cilën gjykoj që meriton një zgjidhje të duhur si përgjegjësi që kemi ndaj nxënësve, pa marrë parasysh shtetësisë së tyre që të furnizohen me kohë me tekste shkollore…Zgjidhja për këtë është jo në mungesë të vullnetit por është teknike”, thotë ai.
Qeveria e Kosovës nuk i ka kthyer përgjigje KosovaPress-it sa i përket kritereve për të fituar shtetësi qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, e as cilat janë lehtësirat që kanë ofruar për këta qytetarë.