Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë – PriFest, ka mbyllur edicionin e tij të 17-të me një atmosferë të veçantë, duke shpallur fituesit që shënuan kulmin e një jave të mbushur me art kinematografik, emocione dhe dialog kulturor.
Në kategorinë Balkan Films Competition, çmimin kryesor për Filmin më të Mirë e fitoi “Circle” me regji të Orhan Tahhusoglu, një bashkëprodhim mes Turqisë dhe Kosovës. Çmimi për Regjinë më të Mirë iu nda Dino Mustafić për filmin “The Pavillion” nga Bosnja dhe Hercegovina, ndërsa Aktori më i Mirë u shpall Stoyan Doychev për rolin e tij në filmin bullgar “Eternal Package”.
Ndërkohë, një nga momentet më të veçanta për publikun shqiptar ishte suksesi i aktores së mirënjohur Arta Dobroshi, e cila u shpall Aktorja më e Mirë për rolin e saj në filmin “Emily” nga Shqipëria.
Në seksionet tjera të festivalit, fitues u shpallën:
- Middle Length Competition: “People Exchanging Saliva” nga Natalie Musteata dhe Alexandre Singh (Francë).
- Short Film Competition: “Three Keenings” nga Oliver McGoldrick (UK/IRL/USA).
Gjithashtu, PriForum’s Best Pitch Competition shpërbleu projekte të reja kinematografike me çmime të rëndësishme:
- Spider (Turqi) – In My Country PostProduction House Award.
- The General and the Butterfly (Maqedonia e Veriut) – Neptune Award (PriFest Award).
- Adet (Kosovë) dhe Voices (Bullgari) – Kosovo Film Center Development Awards.
Organizatorët falënderuan të gjithë regjisorët, juritë, partnerët dhe publikun që e bënë këtë edicion të paharrueshëm, duke theksuar se PriFest mbetet një pikëtakim i rëndësishëm i kinemasë, dialogut dhe kujtesës së Vjosës, në nder të së cilës festivali vazhdon traditën e tij. /Telegrafi/