Gazetari Ardian Gaxheri, në emisionin “Ora Shtatë” potencoi se Kosova duhet të ketë kujdes të shtuar, pasi sipas tij, vendi rrethohet nga shtete jomike të saj.
Ai, përmendi edhe deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump rreth ndalimit të një lufte të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton Klankosova.tv.
Sipas Gaxherit, Trumpi përmendi këtë çështje për të treguar sukses në politikën amerikane e ndërkombëtare, pasi siç thekson ai, presidenti amerikan erdhi me premtimin për të ndalur luftën në Ukrainë brenda 24 orëve, por që tani janë bërë disa muaj e përparim në këtë rrugë nuk ka.
“Ne duhet të kemi kujdes për vendin tonë, sepse jemi të rrethuar nga shtete jomike, posaçërisht e kemi një konflikt pothuajse të hapur me Serbinë, dhe normal që kemi pasur edhe situata që shteti jonë është sulmuar konkretisht nga shteti serb, edhe pas përfundimit të luftës, si për shembull rasti i Banjskës. Nga ana tjetër, Trumpi e përdor këtë gjë politikisht sepse i duhet sukses, sepse zoti Trump ka ardhur me premtimin që brenda 24 orëve do ta kryejë punën e Ukrainës, e kanë kaluar goxha do muaj e s’po kryhet ajo luftë, dhe atij për me shitë suksesin e tij në politikën amerikane dhe ndërkombëtare i duhet një sukses, dhe suksesi më i kollajshëm që mundet me arritë është me Kosovën dhe Serbinë”, tha Gaxheri.
Nga ana tjetër, eksperti i sigurisë, Rrahman Safedini thotë se Kosova nuk rrezikohet drejtpërsëdrejti nga lufta në Ukrainë.
Por, sipas tij, kjo varet shumë nga faktori ndërkombëtar, dhe se si trajtohet çështja e sigurisë në Kosovë.
“Sa i përket luftës në Ukrainë, nuk paraqet një rrezik të drejtpërdrejt ushtarak për Kosovën, por ekzistojnë forma të tjera të involvimit të politikave të jashtme të Rusisë apo të akterëve të ndryshëm. Kjo varet shumë edhe prej faktorit ndërkombëtar, sesi ata e trajtojnë çështjen e Kosovës dhe në çfarë aspekti e bëjnë përkrahjen e sigurisë në Kosovë”, tha Safedini.
The post Pretendimi për ndalimin e luftës Kosovë-Serbi, Gaxheri: Trumpit i duhet një histori suksesi (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.