Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë masivisht në votimet e sotme për zgjedhjet lokale, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare për forcimin e demokracisë në vend.
“Sot është një ditë e rëndësishme për demokracinë e vendit tonë dhe sa më masive në procese zgjedhore, sa më i rregullt dhe i lirë procesi zgjedhor, aq më e fortë do të jetë demokracia jonë. Suksese të gjithë atyre që po marrin pjesë në këto zgjedhje. Shpresoj që ky proces të jetë me rezultate në të mirë të qytetarëve tanë”, u shpreh Osmani.
Presidentja theksoi se e drejta për të votuar është një arritje e rëndësishme e pasluftës dhe se qytetarët duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
“26 vjet pas çlirimit kemi të drejtën për të garuar dhe të drejtën për të votuar, e shfrytëzojmë në liri të plotë, prandaj është me rëndësi që qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e votës”, tha ajo.
Në fjalën e saj, Osmani adresoi edhe çështjen e ndërhyrjeve nga Serbia, duke siguruar se institucionet e sigurisë janë të angazhuara për të garantuar një proces të drejtë.
“Pavarësisht këtyre, jam e bindur që institucionet tona do të bëjnë çmos që të ruhet integriteti zgjedhor”, përfundoi Presidentja.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!