Presidenti i Finlandës: Garancitë për Ukrainën nënkuptojnë luftë me Rusinë në rast sulmi

news image

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, ka deklaruar se garancitë e sigurisë për Ukrainën, të cilat po diskutohen në kuadër të “koalicionit të të vullnetshmëve”, do të kërkojnë nga shtetet evropiane të jenë të gatshme të përballen ushtarakisht me Rusinë në rast të një agresioni të ri nga Moska.

“Garancitë e sigurisë në thelb janë një pengesë. Kjo pengesë duhet të jetë e besueshme dhe që të jetë e besueshme duhet të jetë e fortë”, ka deklaruar Stubb për The Guardian.

Sipas tij, këto garanci do të hynin në fuqi vetëm pas një marrëveshjeje të ardhshme mes Ukrainës dhe Rusisë, por ai nënvizoi se Moska nuk mund të ketë veto mbi këtë proces.

“Rusia nuk ka absolutisht asnjë të drejtë në vendimet sovrane të një shteti të pavarur… Prandaj për mua nuk është çështje nëse Rusia pajtohet apo jo. Sigurisht se s’do të pajtohen, por kjo nuk është çështja”, shtoi presidenti finlandez.

I pyetur nëse garancitë nënkuptojnë gatishmëri për luftë në rast të një sulmi të ri rus ndaj Ukrainës, ai u përgjigj prerazi:

“Kjo është ideja e garancive të sigurisë.”

Muajin e kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron tha se 26 shtete janë zotuar të jenë pjesë e kësaj “forcë sigurie”, duke përfshirë angazhim për prani në tokë, det dhe ajër.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/