Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur në takim deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Në këtë takim është biseduar për sfidat dhe problematikat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Kamberi përmes një postimi të ndarë në Facebook, ka theksuar shqetësimin e tij për provokimet e fundit në Bujanoc, duke kërkuar një vëmendje më të madhe nga shteti shqiptar.
Ai po ashtu ka nënvizuar rëndësinë e një diplomacie aktive dhe projekteve konkrete, siç është Fondi Investiv, për të rritur ndjenjën e sigurisë dhe për të sjellë shpresë te qytetarët shqiptarë të Luginës.
“Një diplomaci aktive shqiptare do të kontribuonte në sensibilizimin e çështjes së Luginës në arenën ndërkombëtare, ndërsa një prezencë më e fuqishme e Shqipërisë në këtë trevë, përmes projekteve konkrete dhe në veçanti përmes Fondit Investiv, do të rriste ndjenjën e sigurisë dhe do të sillte një shpresë të re për qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës”, ka shkruar Kamberi, raporton Klankosova.tv.
Nga ana tjetër, Presidenti Begaj ka deklaruar se nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për unifikimin e faktorit politik shqiptar dhe lobimin në mbrojtje të të drejtave e identitetit të shqiptarëve të kësaj treve, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.
The post Presidenti Begaj takohet me Kamberin, diskutojnë sfidat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës appeared first on Klan Kosova.