Premiera e shfaqjes “InHUMAN” më 19 shtator në teatrin e qytetit

Premiera e shfaqjes “InHUMAN” më 19 shtator në teatrin e qytetit

Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren do të sjellë premierën e shfaqjes teatrore “InHUMAN”, një bashkëprodhim mes Teatrit të Qytetit “Bekim Fehmiu” Prizren, Qendrës Multimedia Prishtinë dhe teatrit Maladype Budapest.

Shfaqja do të ketë premierën e saj më 19 shtator 2025, ora 20:00, në skenën e Teatrit të Qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren, ndërsa më 4 tetor 2025 do të prezantohet edhe para publikut në Hungari.


“InHUMAN” është një tekst i autorëve Jeton Neziraj dhe Shpëtim Selmani, me regji të Zoltán Balázs.

Në skenë do të interpretojnë aktorët Alban Krasniqi, Hajat Toçilla dhe Beslidhje Bytyqi, ndërsa muzika është kompozuar nga Memli Kelmendi, skenografia nga Petrit Bakalli, dhe kostumet nga Vesa Kraja.

Shfaqja trajton realitete të dhimbshme të luftës dhe konflikteve të armatosura, duke vendosur në qendër fatet e individëve dhe komuniteteve që mbeten të ngujuar në izolim.

“Përmes një qasjeje të guximshme artistike, ajo ngre pyetje thelbësore mbi fuqinë e artit për të ndikuar ndaj brutalitetit dhe për të rikthyer ndjenjën e përbashkët të humanitetit. ‘InHUMAN’ synon të jetë më shumë sesa një përvojë artistike – një thirrje për reflektim mbi dhembshurinë, rezistencën dhe fuqinë e kulturës përballë çnjerëzores”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/