Polonia shpall fillimin e operacionit të NATO-s “Roja Lindore”

news image

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Polake ka konfirmuar se operacioni i NATO-s, i quajtur “Roja Lindore”, ka nisur në mënyrë efektive. Ky operacion synon forcimin e krahut lindor të aleancës pas rrëzimit të disa dronëve rusë në territorin polak, ngjarje që ka tensionuar situatën në rajon.

Si pjesë e këtij operacioni, Shtabi i Përgjithshëm ka publikuar pamje të uljes së një avioni transportues francez A400 në aeroportin Minsk Mazowiecki, i cili dorëzoi armë për aeroplanët luftarakë Rafale, që tashmë ndodhen në Poloni.

Fillimi i operacionit ishte sinjalizuar më herët nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe komandanti suprem i forcave aleate për Evropën, Gjenerali Aleksus Grinkevich.

“Pika kyçe është një strukturë krejtësisht e re mbrojtëse,” theksoi ushtria polake.

Forcat aleate që do të marrin pjesë në këtë operacion përfshijnë vende si Danimarka, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe të tjera.

Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Vladislav Kosiniak-Kamysz, deklaroi pas konferencës së NATO-s:

“Ne e dimë se mbrojtja heroike e Ukrainës është e lidhur me të ardhmen e Evropës. Kjo është arsyeja pse po forcojmë aftësitë tona mbrojtëse. Uniteti është forcë dhe gatishmëria është fitore.”

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/