Polonia rrëzon dronë rusë që shkelën hapësirën ajrore, ushtria e quan “akt agresioni”

news image

Polonia ka deklaruar se ka angazhuar mbrojtjen ajrore të saj dhe të NATO-s për të rrëzuar dronë të mërkurën, pas një sulmi ajror rus në Ukrainën perëndimore, hera e parë gjatë luftës në Ukrainë që Varshava angazhon forca në hapësirën e saj ajrore.

Komanda ushtarake e Polonisë ka theksuar se dronë kanë shkelur në mënyrë të përsëritur hapësirën ajrore polake gjatë sulmit rus përtej kufirit në Ukrainë, ndërsa ministri i Mbrojtjes tha se komanda e NATO-s është informuar.

Radarët gjurmuan më shumë se 10 objekte dhe ato që mund të përbënin kërcënim janë “neutralizuar”, thuhet në deklaratë, raporton Reuters.

“Disa nga dronët që hynë në hapësirën tonë ajrore janë rrëzuar. Po kryhen kërkime dhe përpjekje për të gjetur vendndodhjet e mundshme të rrëzimit të këtyre objekteve”, ka theksuar ushtria.

Operacioni ushtarak është ende në vazhdim dhe qytetarët janë paralajmëruar të qëndrojnë në shtëpi, me theks të veçantë për rajonet e Podlaskie, Mazowieckie dhe Lublin, të cilat konsiderohen më të rrezikuarat.

Ushtria polake e quajti shkeljen e hapësirës ajrore një “akt agresioni”, ndërsa Ministri i Mbrojtjes Wladyslaw Kosiniak-Kamysz tha se avionët polakë “kanë përdorur armë kundër objekteve armiqësore.” Ai shtoi se “jemi në kontakt të vazhdueshëm me komandën e NATO-s”, në një postim në platformën X.

Aeroporti Chopin në Varshavë, më i madhi në vend, njoftoi se hapësira ajrore është mbyllur për shkak të veprimeve ushtarake.

Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-së kishte thënë më herët se Chopin ishte një nga katër aeroportet polake që u mbyllën përkohësisht, përfshirë edhe Aeroportin Rzeszow–Jasionka në juglindje, një qendër e rëndësishme për udhëtarët dhe transferimin e armëve drejt Ukrainës.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ishte informuar mbi incidentin, sipas gazetares së CNN, Kaitlan Collins. Departamenti i Shtetit nuk ka dhënë ende një koment zyrtar.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment nga Reuters.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/