Është finalizuar mbrëmë, 13 shtator, një operacion masiv në Fier, Divjakë dhe Lushnje lidhur me firmat piramidale online.
Drejtori i policisë së qarkut Fier bëri me dije se në kuadër të operacionit “XUEX”, janë kryer 83 kontrolle banesash e subjektesh, në Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh.
“Nisur nga shqetësimet e qytetarëve për mashtrimet online me premtimin për investime, nisi puna për hetimet dhe goditjen e këtyre skemave piramidale.”
Mësohet se në pranga kanë rënë gjashtë persona, ndërsa janë shpallur në kërkim dy të tjerë.
Janë arrestuar:
– A. Ç., 38 vjeç, E. T., 21 vjeç, F. M., 23 vjeç
-M. K. 28 vjeç, banues në Tiranë
-B. T., 38 vjeçe dhe B.N., 38 vjeçe, të dyja banuese në Divjakë
Në kërkim: E. Sh., 35 vjeç dhe A. Sh. 29 vjeçe, të dy banues në Divjakë
“Investo për të fituar”, skema e mashtrimit
Këta shtetas, dyshohen për veprat penale të “skemave mashtruese piramidale” dhe “mashtrimit kompjutetik”, ndërsa Drejtori i policisë Fier theksoi se ata kanë vepruar si agjentë kryesorë në këtë aktivitet kriminal.
Këta individë, të pozicionuar në nivelet e para të zinxhirit të skemës, kishin rol kyç në rekrutimin e pjesëmarrësve të rinj dhe në orientimin e tyre përmes grupeve të mbyllura në aplikacione si Telegram.
Aty ata udhëzoheshin se si të investonin në kriptomonedha si USDT dhe TRON me idenë se përmes këtyre investimeve do të shumëfishonin fitimet e tyre.
Përdorimi i kriptomonedhave në këtë skemë nuk ishte rastësor, përkundrazi, ato u zgjodhën pikërisht për vështirësinë që ofrojnë në gjurmim dhe për perceptimin e gabuar që kanë tek shumë qytetarë si mjete “moderne” dhe të sigurta për investim.
Skema funksiononte mbi modelin klasik piramidal: qytetarët që investonin, udhëzoheshin të sillnin të paktën 5 persona të tjerë në system, për të rritur përfitimet e tyre. Sa më shumë persona të sillje dhe sa me e madhe vlera e investuar, aq më shumë të ardhura të premtuara.
Por në të vërtetë, këto nuk ishin investime reale, por një mekanizëm i mirëorganizuar për të përfituar fonde përmes mashtrimit, ku vetëm nivelet më të larta fitonin, ndërsa shumica sidomos pjesa fundore e piramidës humbnin kursimet e tyre.