Policia serbe përdor forcën kundër studentëve që dëshirojnë të marrin pjesë në paradën ushtarake në Beograd

Policia serbe përdor forcën kundër studentëve që dëshirojnë të marrin pjesë në paradën ushtarake në Beograd

Me rastin e Ditës së unitetit serb, lirisë dhe flamurit kombëtar, në Beograd po mbahet parada ushtarake “Fuqia e unitetit”.

Parada ka filluar me intonimin e himnit si dhe me shpalosjen e flamurit të Serbisë.


Ndërkohë, pjesëtarët e policisë kanë formuar një kordon pranë Pallatit të Serbisë për të ndaluar qytetarët dhe studentët që të marrin pjesë në paradën ushtarake.

Gjatë ndërhyrjes, policët kanë përdorur forcë fizike për të larguar njerëzit përpara kordonit, raporton nova.rs.

Në anën tjetër, një pjesë e qytetarëve që janë sjellë me autobusë nga pjesë të ndryshme të Serbisë, janë lejuar të lëvizin lirshëm dhe ndaj tyre policia nuk ka ndërhyrë.

Qytetarët iu kanë lutur pjesëtarëve të xhandarmërisë që të mos përdorin forcë dhe të mos shtyjnë gratë.

Kujtojmë se studentët kishin paralajmëruar më herët se sot do të organizojnë një tubim me moton “Liria është fjala më e shtrenjtë serbe”, si një formë mbështetjeje për pjesëtarët e Ushtrisë së Serbisë, e cila, siç theksuan ata, nuk i përket një partie apo një njeriu të vetëm, por është ushtria e të gjithë qytetarëve.

Studentët kanë njoftuar se Ushtria do ta ndiejë përkrahjen e popullit të vet dhe do të shohë se “populli në rrugë nuk është kundër shtetit”.

Ndryshe, në paradë po merr pjesë edhe anëtarja e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq si dhe ish-presidenti i entitetit të Republikës Serbe, Milorad Dodik. /Telegrafi/