Policia sekuestron pesë thasë drogë në Mirditë, tre persona në kërkim

news image

Policia e Shqipërisë ka sekuestruar pesë thasë me të lëndë të dyshuar narkotike në zonën e Mirditës, gjatë një operacioni të zhvilluar mbrëmjen e kaluar. Në total janë konfiskuar 38.8 kilogramë kanabis sativa dhe dy automjete, ndërsa tre persona janë shpallur në kërkim.

Sipas njoftimit të Policisë, “Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet që kishin siguruar për një rast të shitjes së lëndëve narkotike, kanë organizuar punën dhe mbrëmjen e djeshme kanë ndërhyrë në aksin rrugor ‘Shpal – Blinisht’, duke iu bërë shenjë për ndalim, 3 shtetasve që dyshohet se po transportonin lëndën narkotike, me 2 automjete. Sapo kanë konstatuar punonjësit e Policisë, 3 shtetasit kanë braktisur automjetet dhe duke përfituar nga errësira dhe nga terreni malor, kanë mundur të largohen”.

Gjatë kontrollit të automjeteve, “shërbimet e Policisë kanë gjetur 5 thasë më lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Staiva, me peshë totale 38.8 kilogramë”. Në vijim të hetimeve, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit D. R., 40 vjeç, dhe D. R., 35 vjeç, banues në Krujë (vëllezër), si dhe M. Sh., 27 vjeç, banues në Fushë Arrëz, Pukë.

Nga hetimet dyshohet se “këta shtetas siguronin lëndë narkotike, me qëllim ndarjen dhe shitjen në sasi të vogla në qytet”.

Materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme lidhur me veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/