Policia sekuestron një veturë “Ferrari”, me vlerë rreth 600 mijë euro – dyshohet se u përfitua nga trafikimi i lëndëve narkotike

Policia sekuestron një veturë “Ferrari”, me vlerë rreth 600 mijë euro - dyshohet se u përfitua nga trafikimi i lëndëve narkotike

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka sekuestruar një veturë të tipit “Ferrari” në vlerë rreth 600 mijë euro, ndërsa dyshohet se ishte përfituar nga trafikimi i lëndëve narkotike.

Policia njofton se lidhur me këtë ka nisur procedimin penal për tre shtetas.


“Në vijim të hetimeve, me objektiv gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive me burime kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’, finalizuan operacionin ‘Red’.

Në kuadër të operacionit, u ndalua në rrugën ‘Abdyl Frashëri’, automjeti tip “Ferrari”, me drejtues shtetasin E. V., 33 vjeç, i dënuar më parë në Turqi, për trafikim të lëndëve narkotike, pasi nga hetimet dyshohet se automjeti është përfituar nga kjo veprimtari kriminale”, thuhet në njoftim.

Nga hetimet e mëtejshme u identifikuan shtetasi të cilit 33-vjeçari ia kishte lënë në pronësi automjetin, me qëllim shmangien e gjurmimit, konkretisht S. Ll., 36 vjeç, si dhe shtetasi që kishte sjellë automjetin, në Shqipëri, për llogari të 33-vjeçarit, konkretisht A. L., 33 vjeç.

Në vijim të veprimeve procedurale nisi procedimi penal për të tre këta shtetas.

Policia po ashtu njofton se po vijojnë hetimet për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të shtetasit E. V. ose të afërmve të tij, që mund të jenë përfituar nga veprimtaria e tij kriminale, në Turqi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/