Policia e Kosovës ka realizuar një operacion në Prizren ku janë sekuestruar një veturë, armë zjarri dhe municion, ndërsa dy persona të dyshuar janë në kërkim.
Operacioni u zhvillua më 17 shtator, në dy lokacione në rrugën “Enver Hadri” në Prizren, dhe lidhet me një incident të raportuar më 9 shtator, kur policia kishte marrë informacion për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Mbreti Pleurat”.
Sipas njoftimit të policisë: “I dyshuari nuk është hasur në shtëpi. Pas marrjes së urdhrit verbal nga prokurori i rastit, në prezencën e babait të dyshuarit dhe avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare, është realizuar kontroll në dy lokacione në Prizren”.
Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar: Një pushkë automatike AK-47, një pushkë gjysmë automatike me dylbi, një pushkë gjuetie, 161 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Policia njofton se: “Të gjitha dëshmitë janë fotografuar dhe evidentuar nga njësia e krim-teknikës. Të dy të dyshuarit janë në kërkim dhe akuzohen për këto vepra penale: ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve’”.
Hetimet vazhdojnë ndërsa policia ka theksuar se është në kërkim aktiv të të dyshuarve të përfshirë në rast.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!