Saturday, February 28, 2026
spot_img
HomeLajmePolicia: Nuk ka dëshmi për incidentin e raportuar në brezin kufitar

Policia: Nuk ka dëshmi për incidentin e raportuar në brezin kufitar

Policia e Kosovës ka reaguar me një sqarim për opinionin publik lidhur me dezinformatat e publikuara në disa media, kryesisht në qarqe mediatike serbe, për një incident të pretenduar në brezin kufitar.

Sipas PK-së, janë publikuar shkrime pa verifikim paraprak, ku pretendohej se persona të maskuar kishin vendosur pengesa në rrugë dhe kishin qëlluar me armë ndaj policisë serbe në zonën Madljika, në Zonën Tokësore të Sigurisë në Serbinë jugore.

Policia e Kosovës thekson se pas ndërmarrjes së të gjitha masave verifikuese institucionale nuk ka asnjë dëshmi apo të dhënë zyrtare për ndonjë rast të tillë të evidentuar në brezin kufitar të asaj zone.

Policia vlerëson se ngjashmëria e lajmit të raportuar me një rast të pretenduar të datës 5 shkurt 2026 shton dyshimet për prodhim të qëllimshëm të dezinformatave. Sipas njoftimit, bëhet fjalë për zonën e fshatit Reqicë në territorin e Republikës së Kosovës.

Deri më tani, sipas PK-së, nuk ka asnjë konfirmim që një incident i tillë ka ndodhur, ndërsa për të gjitha veprimet janë njoftuar edhe forcat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se bashkëpunon ngushtë me institucionet e sigurisë dhe mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, si dhe në ofrimin e informacioneve zyrtare për publikun me qëllim parandalimin e dezinformatave.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT