Policia në Leposaviq ka gjetur armë, municion, këmisha të policisë serbe dhe pajisje të tjera ilegale tek një person.
Sipas njoftimit, një grua ka raportuar në polici se ishte kanosur nga bashkëshorti i saj dhe se i njëjti posedon armë, ku pas kontaktit të policisë, i dyshuari e ka pranuar se posedon armë.
“Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit në fshatin Mekinice të Leposaviqit policia ka gjetur dhe konfiskuar: 3 Pushkë automatike AK-47; 1 Pushkë ajrore; 1 Revole; 1 Shkrepës (në formë të Revoles); 55 Fishekë; 1 Bajonetë; 2 Thika; 5 Karikatorë i armës AK-47; 1 Karikatorë të revoles; 1 Këllëf të revoles; 1 Jakne ushtarake; 2 Këmisha te policisë se Serbisë”.
“Ndaj personit të dyshuar ekziston urdhri mbrojtës lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë lidhur me një rast të mëhershëm i cili urdhër është në fuqi nga data 15.10.2024 deri sot me datë 15.10.2025”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, policia tha se në lidhje me rastin është arrestuar i dyshuari S.T., 49-vjeç, ku Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit “kanosje”, “mospërfillja e urdhrit të gjykatës” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, teksa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Gjatë procesit të kontrollit të shtëpisë, prindi i të dyshuarit ka deklaruar se njëra armë AK-47, pushka ajrore, bajoneta dhe uniforma janë të tij”.
“Ndaj të dyshuarit N.T 70 vjeç është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, i njëjti pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të Shtetit është liruar ne procedure te rregullt”, thuhet në njoftim.
Policia Rajonale Mitrovicë Veri mbetet e përkushtuar për sigurinë dhe rendin publik dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë duke raportuar çdo aktivitet të dyshimtë.
The post Policia në Leposaviq gjen armatim, xhaketa ushtarake e këmisha të policisë serbe appeared first on Klan Kosova.