Policia gjermane dhe zyrtarët doganorë kanë sekuestruar mbi 400 kilogramë kokainë në portin e Hamburgut, pas një kontrolli të papritur të shtunën pasdite.
Sipas të përditshmes gjermane Bild, dy burra u kapën në flagrancë duke ngarkuar më shumë se 20 çanta sportive të mbushura me drogë në bagazhin e një makine. Droga e sekuestruar ka një vlerë tregu prej rreth 17 milionë eurosh.
Operacioni i suksesshëm erdhi falë vigjilencës së një punonjësi portual, i cili njoftoi autoritetet pasi vërejti dy persona të dyshimtë që po hipnin në një anije në terminalin O’Swaldkai, pa pasur lidhje të dukshme me ndonjë ekuipazh apo aktivitet zyrtar.
Policia konfirmoi se informacioni u mor rreth orës 12:26 të pasdites së së shtunës, dhe reagimi ishte i menjëhershëm.
Të dy të dyshuarit u arrestuan, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar lidhjet e tyre me ndonjë rrjet të organizuar trafiku droge.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!