E enjte, 24 Korrik, 2025
spot_img
HomeLajmePolicia fton qytetarët të festojnë pa armë

Policia fton qytetarët të festojnë pa armë

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të vendit që në organizime familjare e shoqërore për festa të ndryshme, të mos përdorin armë.

Duke pasur parasysh tani edhe fluksin e shtuar të qytetarëve dhe numrin e madh të ceremonive festive e ahengjeve të ndryshme në këtë pjesë të vitit, Policia e Kosovës, si masë preventive ka realizuar fushata të ndryshme dhe po ashtu ka shpërndarë broshura vetëdijesuese, që të festohet në mënyrë të qetë, pa incidente e pa përdorim të mjeteve të rrezikshme dhe të armëve.

Ndër të tjera, në apelin e policisë, është theksuar se vetëm në këtë gjashtëmujor janë konfiskuar 849 armë zjarri, që shënon rritje prej 12 për qind në krahasim me një vit më parë.

“Posedimi dhe përdorimi i mjeteve të rrezikshme, armëve, është veprimtari e kundërligjshme, andaj Policia e Kosovës vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në operacione të ndryshme të ndërmarra, ka konfiskuar 849 armë zjarri të llojeve të ndryshme dhe në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2024, është shënuar një ngritje për 12%, si dhe janë konfiskuar 16,198 sasi të municionit të kalibrave të ndryshëm dhe në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2024 është shënuar një ngritje për 3.37%”, është thënë në apelin e policisë.

Theksohet se vetëm në 24-orëshin e fundit, janë evidentuar disa raste të përdorimit dhe posedimit të armëve në Prishtinë, Obiliq, Lipjan, Podujevë, Klinë, Gjakovë, Mitrovicë të Jugut dhe Pejë, “ku në tetë raste të ndara janë konfiskuar: 1 armë e gjatë AK-47, 7 armë të shkurtra, 1 pushkë ajrore, 9 karikatorë dhe rreth 300 fishekë të kalibrave të ndryshëm, ndërsa katër persona janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje”.

“Policia e Kosovës, apelon tek të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të shmangun përdorimin dhe posedimin e armëve të zjarrit në përgjithësi, e në veçanti në ceremoni festive, të festojnë me dinjitet dhe maturi, në të kundërtën do të përballen me ligjin”, ka theksuar në fund të këtij apeli, Policia e Kosovës. /Klankosova.tv

The post Policia fton qytetarët të festojnë pa armë appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT