Policia e Kosovës: Procesi zgjedhor kaloi i qetë dhe pa incidente serioze

Policia e Kosovës: Procesi zgjedhor kaloi i qetë dhe pa incidente serioze

Plani operacional i Policisë së Kosovës, i paraparë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, i cili kishte për qëllim ofrimin e sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para ,gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve u realizua me sukses në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës përmes një komunikate për media, transmeton Telegrafi.


“Angazhimi dhe zbatimi i planit policor, bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional ka ndikuar në mënyrë pozitive që i tërë procesi zgjedhor të kalojë i qetë dhe pa incidente madhore që do tëkishin penguar apo cenuar procesin zgjedhor, andaj vlerësuar në aspektin e sigurisë, procesizgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze”, thuhet në njoftim.

Tutje, Policia e Kosovës thotë se përmes njoftimeve zyrtare, një ndër qëllimet e planit policor, ka qenë inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, që sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, ka iniciuar dy (2) Cenimi i fshehtësisë së votimit; njëri në fshatin Bare – Mitrovicë Jugu dhe tjetri në Kllokot – DRP Gjilan, përderisa rastet mbi dyshimet për “fotografim të votës”, me autorizim të prokurorëve kompetent kanë mbetur si ‘shënim zyrtar’ njëmbëdhjetë (11)raste/informata”, vijon njoftimi.

Lidhur me rastet personat e shoqëruar në stacione policore, pas intervistimit me autorizim të prokurorëve kompetent janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndërsa sa i përket rastit të gjuajtjes me armë zjarri në Komoran, ku ishte dëmtuar një veturë dhe ishin shoqëruar për intervistim dy persona, vlen të potencohet se ky rast nuk ndërlidhet me procesin zgjedhor.

PK-ja me autorizim të prokurorisë kompetente është duke kryer kontrolle si dhe duke vazhduar me hetime intensive për rastin, përderisa personat e shoqëruar pas intervistimit janë liruar. /Telegrafi/