Policia e Kosovës jep detaje mbi aksidentin fatal në Pejë ku humbi jetën vëllai i Gjestit

Policia e Kosovës jep detaje mbi aksidentin fatal në Pejë ku humbi jetën vëllai i Gjestit

Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me aksidentin e rëndë me fatalitet që ndodhi të premten në Pejë, ku humbi jetën i mituri Eldion Kelmendi, vëllai i reperit të njohur shqiptar Besart Kelmendi – i njohur me emrin artistik Gjesti.

Sipas komunikatës së publikuar nga Policia në rrjetin social Facebook, ngjarja ndodhi më 26 shtator 2025, rreth orës 14:05, në fshatin Treboviq të Pejës. Në aksident ishin të përfshira një veturë dhe një motoçikletë.


“Deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur pasi drejtuesi i motoçikletës, në një kthesë, humbi kontrollin dhe kaloi në shiritin e kundërt të rrugës, ku u përplas me veturën që po lëvizte në drejtim të kundërt”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Si pasojë e goditjes, një person ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa një person tjetër është lënduar rëndë dhe është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Pejës, ku po trajtohet.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik, pasi viktima rezulton të jetë vëllai i reperit të njohur Gjesti, i cili ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në skenën muzikore shqiptare. /Telegrafi/