Policia e Kosovës gati për sigurinë gjatë zgjedhjeve lokale 2025

Policia e Kosovës gati për sigurinë gjatë zgjedhjeve lokale 2025

Policia e Kosovës, përmes hartimit të urdhrit operativ policor ka bërë të gjitha planifikimet e saja policore lidhur me zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen me 12 tetor.

Në njoftimin e policisë thuhet se për ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor do të angazhohen një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë.


Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor në katër faza, duke filluar nga periudha parazgjedhore, angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës parazgjedhore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve si dita Z, si dhe periudha pas zgjedhjeve.

Policia ka ndërmarrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces, si dhe hartimin e një udhëzuesi për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor.

Qëllimi i këtij urdhri operativ për këtë proces zgjedhor është krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve dhe sigurimin e Qendrave të Votimit, Këshillave Komunale të Zgjedhjeve, Depove Komunale, Qendrës së Numërimit të Rezultateve dhe Depove Qendrore.

Po ashtu, përcjellja e sigurt dhe sigurimi i të gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor.

Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

Policia e Kosovës njëkohësisht iu bën thirrje të gjithë drejtuesve të subjekteve zgjedhore dhe qytetarëve që për çdo informacion të dyshuar në aspektin e sigurisë të njoftojnë institucionet kompetente dhe Policinë e Kosovës, përmes linjës fikse dhe mobile 192 ose në adresën elektronike [email protected] si dhe në stacionet më të afërta policore, në mënyrë që të ndërmerren masat e menjëhershme ligjore.