Policia e Kosovës ka reaguar pas sulmit me mjete shpërthyese në kanalin e ujësjellësit “Ibër Lepenci” në Zubin-Potok.
Përmes një njoftimi zyrtar, PK-ja thotë se njësia për trajtimin e materieve eksplozive janë duke kryer hetime intensive dhe ekzaminime në vendin e ngjarjes, nga të cilat është konstatuar se shpërthimi/detonimi ka qenë sulm i qëllimshëm, akt kriminal terrorist i kryer nga person/a të dyshuar.
“Policia e Kosovës, ka rritur masat e sigurisë në lokacionet sensitive dhe do të vazhdojë të punojë intensivisht drejt zbardhjes dhe ndriçimit të rastit, për të cilin nga hetimet fillestare ekziston dyshimi i bazuar se sulmi ka qenë i qëllimshëm dhe i kryer me eksploziv nga individ apo grup kriminal, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale”, thuhet në njoftim.
PK-ja thotë se do të përdorë të gjitha aftësitë dhe asistencën nga komuniteti ndërkombëtar për të hetuar provat dhe për të gjetur personat përgjegjës për dëmtimin e furnizimit me ujë të vendit, të furnizimit të termocentraleve e të Zubin Potokut, e që mund të dëmtojë qytetarët.
Ky është njoftimi i plotë:
Policia e Kosovës, rreth orës 19:00 ka siguruar informacione se në veri të vendit, në fshatin Varage të Zubin Potokut, është sulmuar dhe dëmtuar infrastruktura kritike e kanalit të ujit “Ibër Lepenci”.
Njësitet relevante policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe lidhur me rastin kanë njoftuar të gjitha institucionet kompetente, atë të Emergjencave, Ujësjellësit, Ibër Lepencit dhe KEK-ut.
Nga Policia e Kosovës dhe institucionet kompetente, janë ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë, të ndalimit të rrjedhjes së ujit si dhe mundësisë së sanimit të kanalit të ujit.