Policia britanike ka bërë të ditur se ekziston mundësia që një nga dy viktimat e sulmit të së enjtes në një sinagogë në Manchester të jetë qëlluar aksidentalisht nga vetë oficerët e armatosur, gjatë përpjekjes për të ndaluar autorin e sulmit.
Ngjarja ndodhi pranë sinagogës “Heaton Park Hebrew Congregation”, në ditën e Yom Kippur, festa më e shenjtë në kalendarin hebraik, kur një sulmues britanik me origjinë siriane përplasi makinën e tij mbi kalimtarë dhe më pas sulmoi disa persona me thikë.
Nga sulmi mbetën të vdekur Adrian Daulby (53) dhe Melvin Cravitz (66). Sulmuesi u vra në vendngjarje nga forcat e armatosura, raporton Reuters.
Policia e Manchesterit ka bërë të ditur se sulmuesi nuk kishte armë zjarri, ndërsa një nga viktimat kishte plagë nga armë zjarri, duke ngritur dyshime serioze për mundësinë që ai të jetë goditur nga plumbat e policisë gjatë ndërhyrjes.
“Kjo tregon se kjo plagë mund të jetë shkaktuar aksidentalisht nga veprimet e shpejta dhe të domosdoshme të oficerëve për të ndalur këtë sulm të dhunshëm”, – deklaroi shefi i policisë së Manchesterit, Steve Watson.
Hetimet janë duke vazhduar për të konfirmuar rrethanat e sakta të vdekjeve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!