Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve (DHTN), ka realizuar dy operacione të ndara gjatë të cilave ka arrestuar katër persona dhe ka konfiskuar sasi të konsiderueshme të narkotikëve, armë, para të gatshme dhe prova të tjera materiale.
Rasti i parë – Operacioni “Pinku”
Më 14 janar, rreth orës 15:20, në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Fushë Kosovë, hetuesit e DHTN-së, pas një pune operative-hetimore, kanë identifikuar dhe arrestuar në flagrancë dy persona të dyshuar për shitblerje të substancave narkotike.
Gjatë kontrollit, te njëri i dyshuar janë gjetur dy qese me marihuanë, me peshë rreth dy gramë. Ndërkaq, te i dyshuari tjetër dhe në veturën e tij janë sekuestruar nëntë qese me kokainë (4.9 gramë), tetë qese me marihuanë (12.7 gramë), 475 euro para të gatshme që dyshohet se janë përfituar nga shitja e drogës, si dhe dy telefona mobilë.
Me autorizim të Prokurorit Kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, është bastisur shtëpia e njërit prej të dyshuarve, ku janë gjetur dhe konfiskuar: një armë e shkurtër, 15.8 gramë kokainë, 79 tableta ekstazi (37.7 gramë), 2.6 gramë substancë e dyshuar kokainë me ngjyrë të kuqe, 322.9 gramë marihuanë, dy peshore digjitale.
Rasti i dytë – Operacioni “Dora e Kapur”
Në të njëjtën ditë, në Prishtinë, DHTN përmes Sektorit Qendror për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë ka zhvilluar operacionin e koduar “Dora e Kapur”. Në rrugën “Imzot Nikprelaj” është arrestuar në flagrancë një person, te i cili janë gjetur gjashtë doza heroinë me peshë totale katër gramë.
Gjatë kontrollit në banesën e tij janë sekuestruar edhe rreth nëntë gramë hashash dhe 18 gramë marihuanë. Po ashtu, gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar: 52 paketime heroinë me peshë totale 14 gramë, një pushkë gjuetie me nëntë fishekë, rreth 25 mijë euro para të gatshme, një veturë, një peshore, dy telefona mobilë dhe prova të tjera relevante.
Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe ndaj tyre do të ndërmerren veprime të mëtejme ligjore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


